Ujësjellësi, nis aplikimi i tarifave të rritura
Drejtoria e Ujësjellës–Kanalizimeve Fier ka nisur që nga fillimi i muajit mars aplikimin e tarifave të rritura për konsumin e ujit të pijshëm, ndërsa paralelisht me të, edhe aksionin për ndëshkimin e debitorëve. Drejtori Agim Plepi thotë se faturat e konsumit të ujit të pijshëm për abonentët familjarë, privatë dhe shtetërorë të Fierit do të jenë për muajin mars 10-15% më të larta. "Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar muaj më parë që nga 1 marsi ka nisur shtrenjtimin e ujit të pijshëm. Shuma që do t’i shtohet çmimit të mëparshëm mund të shkojë nga 60 deri 160 lekë të reja. Kjo shumë është e përballueshme nga abonentët e Fierit. Nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga abonentët e të gjitha kategorive", deklaroi Plepi. Ndërkaq, drejtoria ka publikuar listën e debitorëve, e cila është shumë e gjatë dhe fatura të larta. "Jo vetëm abonentët disavjeçarë, por edhe ata dymujorë nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Ndëshkimet përkojnë me gjoba deri dhe me ndjekje penale. Gjobat për qindra abonentët debitorë janë prerë dhe të hënën do të depozitohen pranë autoriteteve të drejtësisë për ndjekje penale", thotë Plepi. Borxhet që abonentë të ndryshëm nuk i kanë shlyer faturat ujësjellësit të Fierit kapin shumë e 4.2 milion eurove.
#