Komisioni i Sigurisë: Ligji përmbush standardet e NATO-s

Komisioni i Sigurisë reagon pas letrës së NATO-s. Dje vetëm seancë dëgjimore
TIRANË - Pavarësisht apelit nga Aleanca e Atlantikut të Veriut përmes një letre drejtuar qeverisë shqiptare, se projektligji për Shërbimin Informativ Shtetëror duhet të kalojë më parë në një ekspertizë ndërkombëtare, përfaqësuesit e mazhorancës nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre duke vijuar procedurën për miratimin e ndryshimeve, pa konsulencën e zyrës përgjegjëse të NATO-s.
Menjëherë pas bërjes publike të letrës së NATO-s nga media, Kuvendi, përmes zyrës për shtyp, publikon edhe një deklaratë zyrtare të Komisionit të Sigurisë, ku aktualisht marrin pjesë vetëm deputetët e mazhorancës.
Komisioni i Sigurisë njoftoi dje se në seancën e djeshme dëgjimore, ku opozita nuk ishte e pranishme, oratorët e shumicës kanë theksuar se ndryshimet në ligjin e SHISH-it, bëhen me qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare, për të luftuar terrorizmin, trafikun e drogës etj.
"Në këtë seancë deputetët dëgjuan hartuesit e këtij projektligji, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, si dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror, nëpërmjet Drejtorit të këtij Shërbimi, ku u njohën në hollësi me punën e tyre të përbashkët.
Oratorët bën të njohur se këto ndryshime demokratike bëhen të nevojshme për shkak të sfidave me të cilat përballet SHISH, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë global, për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe në përputhje me strategjinë kombëtare të sigurisë.
Ndryshimet që propozohen zgjerojnë dhe saktësojnë detyrat e SHISH kundër terrorizmit, trafikut të armëve, lëndëve narkotike, trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar, korrupsionit të personave që kanë funksione publike etj.", - thuhet në njoftimin për shtyp të Komisionit të Sigurisë.
Megjithëse, sipas njoftimit për shtyp, evidentohet se në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare kanë marrë pjesë ekspertë nga institucionet ndërkombëtare, nuk qartësohet pikërisht fakti se cili ka qenë qëndrimi i këtyre ekspertëve, duke u mjaftuar vetëm me deklaratën e përhershme se ndryshimet pasqyrojnë përvojën e sotme të vendeve anëtare të NATO-s.
"Duke u mbështetur në përvojën e sotme të vendeve anëtare të NATO-s dhe BE, këto ndryshime respektojnë standardet demokratike dhe rritin transparencën e këtij institucioni ndaj publikut, duke ftuar, për herë të parë, edhe opozitën të japë mendimin e vet për emërimin e Drejtorit të SHISH.
Në këtë seancë dëgjimore morën pjesë ekspertë nga Institucionet ndërkombëtare (përfaqësues të misionit OBDAT, si dhe përfaqësues të misionit EURALIUS të Bashkimit Europian)", - thuhet më tej në njoftim. Në njoftim thuhet gjithashtu se kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, kontaktoi personalisht me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi për rëndësinë që ngërthen ky projektligj dhe që kolegët opozitarë duhet të japin kontributin e tyre konkret.