E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montobio: Bashkëpunimi me "Mesdheun" test për në BE

Montobio kërkoi dje që qeveria shqiptare të zhvillojë e rrisë më tej bashkëpunimin me vendet e Mesdheut


TIRANË - Përfaqësuesit e Bashkimit Europian përveç thirrjes për zgjidhjen e krizës politike, i kanë adresuar dje Shqipërisë edhe një tjetër apel. Kështu, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, kërkoi dje që qeveria shqiptare të zhvillojë e rrisë më tej bashkëpunimin me vendet e Mesdheut, si një nga rajonet më të rëndësishme të kontinentit evropian, që mund të ndikojë në procesin integrues të Shqipërisë.


Sipas Montobios, duke qenë se, Shqipëria është drejt integrimit të saj në Bashkimin Europian, hapja dhe bashkëpunimi me vendet e Mesdheut është edhe një faktor kyç për aderimin e vendit tonë në BE.


Gjatë një forumi për Unionin e Mesdheut, ambasadori spanjoll Montobio vuri në dukje se Shqipëria duhet të luajë rol të rëndësishëm për stabilitetin në rajon. Kjo sipas tij, është një test pjekurie i diplomacisë shqiptare për proceset integruese. "Pjesëmarrja e Shqipërisë në bashkimin për Mesdheun është një rast testimi kyç në tranzicionin që ka ndjekur.


Tani ju tentoni integrimin, në një moment të caktuar, kur keni perspektivën tuaj të brendshme ju duhet të fokusoheni në ato rajone, që zhvillohet Europa ku njëri prej tyre është Mesdheu. Është një test pjekurie i politikës së Jashtme të Shqipërisë që të kujdeset për stabilitetin rajonal. Sfida e madhe diplomatike është sesi Shqipëria do të luajë rol me partnerët e saj", - tha dje Montobio.


Ai shtoi se Unioni për Mesdheun apo siç quhet ndryshe procesi i Barcelonës, synon bashkëpunimin midis vendeve jo vetëm në planin ekonomik, por edhe në atë politik. Në këtë forum merrte pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.


Shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në këtë rajon dhe vuri në dukje gjithashtu edhe rëndësinë që ka procesi i Barcelonës për vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›