E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Sigurisë, PS: Pr/ligji për SHISH të diskutohet në Kuvend

TIRANË- Deputetët e opozitës kërkuan sot shqyrtimin e projektligjit për SHISH-in, ndërsa deklaruan se është e patolerueshme që ky institucion të këtë 7 vjet pa kontroll nga Parlamenti. Kërkesa e opozitës është bërë në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar të Sigurisë, gjatë të cilës deputetët Gjoni e Lutaj kërkuan diskutimin e këtij projektligji në një prej seancave plenare të Kuvendit.

“U bë një vit që është hartuar një projektligj për mbikëqyrjen parlamentare të Shërbimeve Informative, një projektligj i cili është hartuar edhe me konsulencën e OSBE-së dhe ekspertëve britanikë të komisionuar nga OSBE. Projektligji është në Kuvend dhe unë mendoj që është momenti që ta marrim në shqyrtim, t’ia sygjerojmë kryetares së Kuvendit që ai të futet në axhendën e këtij Kuvendi, për tu marrë në shqyrtim sa më shpejt”, - u shpreh Gjoni.

Edhe deputeti Pirro Lutaj u shpreh se është e patolerueshme që SHISH nuk kontrollohet nga Kuvendi. “Shërbimit Informativ të Shtetit shqiptar prej 7 vitesh i mungon kontrolli parlamentar i tij. Kontrollin parlamentar të shërbimeve e keni bërë vetëm me një raportim që na ka nxjerrë kryetari i SHISH. Ju mund t’i sygjeroni kryeparlamentares që të ngrejmë një komision për kontrollin e institucioneve të sigurisë”, - tha deputeti i majtë Lutaj.

Në replikë me të Kryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Leonard Demi u shpreh se kjo gjë do të ndodhë sapo të miratohet ligji për SHISH.
“Jemi duke punuar për ligjin e SHISH bashkërisht, që ai të jetë si në të gjitha vendet e tjera demokratike”,  - tha Demi.

Deputetët e opozitës mësohet të kenë kërkuar gjatë kësaj mbledhje që ministri Jashtëm Edmon Haxhinasto, ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe ai i Drejtësisë Eduard Halimi të raportojnë për çështje të mprehta që kanë të bëjnë me sigurinë. Haxhinasto është kërkuar të thirret lidhur me sigurinë e informacionit, ndërsa Nishani dhe Halimi janë kërkuar të raportojnë për kriminalitetin në vend si edhe për sigurinë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›