E Diel, 1 Nëntor 2026

Lambrinidis: Serbia në dhjetor të marrë statusin kandidat për BE

BEOGRAD- Ministri i Punëve të Jashtme te Greqisë, Stavros Lambrinidis, tha se do të ishte e drejtë që Serbia të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin dhjetor.

Deklaratat e shefit të diplomacisë greke u bënë gjatë vizitës së tij në Beograd, ku ka takuar homologun serb, Vuk Jeremic.

"Kandidatura e Serbisë është e rëndësishme jo vetëm për Serbinë, por edhe për stabilitetin rajonal. Për një gjë të tillë janë të vetëdijshëm të gjithë liderët evropianë",- tha Lambrinidis.

Por, ndërkaq për homologun e tij serb, “edhe pse Serbia sipas tij i ka përmbushur kriteret për kandidaturën evropiane, ka rrezik potencial që kjo të mos ndodhë".

Ndërkaq sa i përket Kosovës, ministri grek tha se qëndrimi i Athinës mbetet i pandryshueshëm.

"Kosova është një çështje që kërkon zgjidhje evropiane,- deklaroi ministri grek.

Lambrinidis tha se Greqia e mirëpret dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, duke thënë se ai paraqet një rrugë të drejtë.

“Evropa duhet të vlerësojë pjesëmarrjen konstruktive të Serbisë në dialog",- tha ai.

Greqia është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›