Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese diskutoi sot në parim projektligjin Për Sektorin Minerar
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin nisi sot diskutimet në parim lidhur me projektligjin Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë, i cili u prezantua nga zv/ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, zoti Neritan Alibali.
Projektligji në fjalë përcakton rregullat për zhvillimin e veprimtarive minerare në vend, ka për qëllim nxitjen e veprimtarive të këtij sektori duke siguruar transparencën dhe të konkurrencës së lirë. Gjithashtu, projektligji synon rritjen maksimale të përfitimit publik nga veprimtaria minerare dhe garantimin e mjedisit dhe të qytetarëve nga rreziku minerar.
Gjatë prezantimit të këtij projektligji, zoti Alibali vlerësoi vendosjen e kuadrit ligjor dhe rregullator për nxitjen e investitorëve në këtë sektor. Ai tha se ky ligj ka si synim të lehtësojë procedurat për marrjen e lejes duke iu përgjigjur në kohë kuadrit rregullator të marrë nga qeveria si dhe përcakton qartë rolin e shtetit si promovues i pasurive minerare.
Zoti Alibali vlerësoi ndër të tjera se ndërmarrja e kësaj nisme ka për qëllim përafrimin e legjislacionit në fuqi dhe të kuadrit rregullator me direktivat e zbatuara në vendet e Bashkimit Europian.
Relatori i këtij projektigji, deputeti i PD, Selami Xhepa theksoi rëndësinë që ka ky ligj përsa i përket përcaktimin e konkurrencës së lirë si dhe mekanizmave financiare për të përcaktuar detyrimet përkatëse. Nga ana tjetër, deputeti Xhepa vuri në dukje rëndësinë që ka rritja e bashkëpunimit me autoritetet vendore lidhur me këtë sektor.
Për tu njohur më në hollësi me detajet e projektligjit, anëtarët e komisionit drejtuan disa pyetje lidhur me klimën miqësore për investitorët e huaj, heqjen e burokracive, sa funksionale janë lejet e dhëna në sektorin minerar etj.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan në parim projektligjin ndërsa vendosën që në mbledhjen e radhës të zhvillohet një seancë dëgjimore me grupet e interesit.