Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e Qendrës së Përbashkët të Kontrollit të Hapësirës Detare
- Ne zotohemi se do bëjmë çdo gjë për konsolidimin e ligjit, për zbatimin e ligjit, si kusht i të gjitha kushteve, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre. çdo përpjekje për të imponuar me cilindo mjet apo forcë qoftë, dhunimin e shtetit ligjor, do të marrë përgjigjen ligjore, nga kushdo dhe cilido.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e Qendrës së Përbashkët të Kontrollit të Hapësirës Detare, pranë Komandës së Flotës, në Durrës. Në inaugurimin e kësaj qendre, e cila kapi një vlerë investimi prej 2.4 miliard lekësh, ishin të pranishëm ministra, deputetë, drejtues të lartë të Policisë, Ushtrisë, Doganave, autoritete vendore. Duke i përgëzuar efektivat që punonin në këtë qendër, kryeministri Berisha u shpreh se kjo është një qendër model, si nga teknologjia e lartë, por edhe nga niveli i bashkëpunimit që ajo mundëson mes disa institucioneve njëherazi, duke përmbushur detyrën e kontrollit të hapësirës detare shqiptare, kusht ky themelor si për luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve, konsolidimin e shtetit ligjor, por edhe për liberalizimin e vizave.
Më gjerësisht, në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Të nderuar zotërinj ministra, zotërinj deputetë, zoti shef i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralë, oficerë, drejtues të policisë, inspektorë të saj, qeveritarë vendor!
Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që sot inauguroj Qendrën e Përbashkët të Kontrollit të Hapësirës Detare, si një nga qendrat më moderne të vendit. Domosdoshmëria e saj, ishte jashtëzakonisht e madhe. Së pari, vendet e lira kanë kushte përcaktuese, në vendet e lira, kufiri nuk është i militarizuar. Në këtë kontekst, ne ia dolëm me punën tuaj, me përkushtimin tuaj, zotërinj oficerë të Mbrojtjes dhe të Policisë së Shtetit, që të vendosim në kontrollin e kufirit detar, një standard të vendeve të zhvilluara, një standard evropian. Një ligj i ri u miratua nga parlamenti. Me formimin e kësaj qendre, ligji u konkretizua. Vendimi i qeverisë dhe vendime të tjera të qeverisë shqiptare, bënë të mundur që qendra të funksionojë plotësisht dhe duhet të them me rezultate shumë të lavdërueshme. Për krijimin e kësaj qendre, janë bërë investime serioze. Sistemi i radarëve të detit, ka kushtuar rreth 2.4 miliard lekë. Ai bazohet në teknologjinë më moderne. Kontrolli i hapësirës detare me radar, rrit në shkallë maksimale, mundësinë e operacioneve të shpëtim-kërkimit. Deti është burim pasurish të mëdha, burim kënaqësish të mëdha, por deti është edhe jo rrallë burim fatkeqësish të thella njerëzore, që ne shqiptarët i kemi përjetuar, jo pak. Në këtë kontekst, sistemi i vendosur lejon kontrollin e bregdetit shqiptar, u mundëson njësive tona të shpëtim-kërkimit, në çdo rast dhe në çdo rrethanë, operacione më të suksesshme.
Por kontrolli i bregdetit dhe i hapësirës detare të vendit, ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe për parandalimin e trafiqeve dhe në luftën kundër krimit të organizuar, luftës kundër kontrabandës, trafiqeve kriminale. Shqiptarët kanë ndjekur me shumë kënaqësi, rastet e muajve të fundit, ku ju me sistemin e radarëve, ia keni dalë të identifikoni, të ndaloni ngarkesa të mëdha trafiqesh kriminale, të cilat destinoheshin për në vende të tjera, duke bllokuar në këtë mënyrë, eksportin e kriminalitetit, duke shndërruar brigjet shqiptare dhe ujërat e vendit, në ujëra sigurie për Shqipërinë, por edhe për rajonin.
Sistemi i radarëve të detit, u plotësua, por sërish ne, do të mbajmë moratoriumin, për skafet, sepse e vërteta është se ato janë faktuar, industri kriminale e mafies dhe nuk ka pse të dobësojmë qëndrimin tonë ndaj tyre. As nuk janë përdorur dhe as nuk përdoren për hobi. Janë përdorur dhe synojnë që të përdoren vetëm për trafiqe kriminale. Tani që ju zbatoni me sukses ligjin, përballeni me udhëtime kriminale nga brigje të tjera për në Shqipëri. Edhe ato të njëjtin fat do të kenë. Me bashkëpunimin e shkëlqyer që keni vendosur, me rojën bregdetare italiane dhe greke, ju do të bëni Adriatikun, një prej detrave më të sigurta. Vendet mike kanë propozuar që kjo qendër, të shërbejë si një qendër model rajoni. Ne u garantojmë ju, se qeveria do të bëjë çdo investim të nevojshëm, që të jetë vërtetë një qendër shembullore dhe Adriatiku nga Sllovenia në Karaburun, të jetë një nga detet më sigurta, më të pastra, më të qeta. Dhe kjo është e domosdoshme. Janë brigjet e tij që përballen me një presion të jashtëzakonshëm të kriminalitetit, që vjen nga Lindja. Me ketë unë nuk dua të them se nuk ka kriminalitet në perëndim. Kriminalitetit është patotenik. Por e vërteta është se plantacionet e opiumit dhe zonat e nxehta janë aktualisht në Lindje. Ndaj dhe ne duhet të bashkëpunojmë me të gjitha vendet, me Malin e zi, Slloveninë, Kroacinë, Greqinë, në mënyrë që të bëjmë hapësirën tonë detare një hapësirë të sigurt për të gjitha vendet e rajonit.
Të nderuar zotërinj!
Shpresoj që radhën tjetër të ketë edhe zonja midis jush, sepse Ushtria dhe Policia janë njësi të burrave dhe të grave. Në përpjekjen tonë me Qendrën e Kontrollit të Përbashkët të Hapësirës Detare, përmbushëm një kriter themelor për liberalizimin e vizave. Ishte serioziteti i juaj përkushtimi i juaj, angazhimi i plotë qeverisë shqiptare që të paguajmë çdo çmim për të përmbushur detyrimet tona, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Dhe këtu kushti më themelor, ka qenë dhe mbetet, Shqipëria eksportues sigurie dhe stabiliteti. Në këtë kontekst dua të theksoj, se roli i juaj ka qenë i pazëvendësueshëm, ka qenë kryesor në përmbushjen e atyre kërkesave, pa të cilat heqja e vizave për shqiptarët, do të kishte qenë e pamundur.
Do ta mbyll fjalën time, duke ju falënderuar për punën që keni bërë dhe duke ju siguruar se qeveria do të bëjë çdo gjë që projektin më të madh të shqiptarëve pas anëtarësimit në NATO, anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ta shndërrojë në realitet. Ta shndërrojë në realitet duke ndërtuar idealin evropian të shqiptarëve. Shqiptarët janë kombi që mbështesin më shumë se çdo komb tjetër integrimin e vendit të tyre në Evropë. E kanë pra më të gjallë, më të fuqishëm se të gjithë të tjerët idealin e tyre evropian. Ndërtimi i idealit evropian, ka si kusht themelor funksionim e shtetit ligjor. Nuk ka dhe nuk mund të ketë shoqëri të lirë, pa shtet ligjor dhe funksionim të tij. Ndaj dhe ne zotohemi se do të bëjmë çdo gjë për konsolidimin e ligjit, për zbatimin e ligjit, si kusht i të gjitha kushteve, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre. çdo përpjek për të imponuar me cilindo mjet apo forcë qoftë, dhunimin e shtetit ligjor, do të marrë përgjigjen ligjore, nga kushdo dhe cilido. Ka qenë kjo përgjigje që ju, i keni dhënë në mënyrën më të vendosur bandave edhe falangave të krimit, ajo që ka bërë dhe bën Shqipërinë një vend të sigurt; ka qenë kjo përpjekje ajo që bëri të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; ka qenë kjo përpjekje dhe ky qëndrim i yni ndaj shtetit ligjor, ai që bëri të mundur vendimin e 27 ministrave të Bashkimit Evropian për të hapur dyert për Shqipërinë, për vend kandidat dhe anëtar të plotë; është kjo përpjekje që bëri të mundur që Komisionin Evropian t’i sjellë pyetësorin qeverisë shqiptare në dhjetor dhe ta pranojë nga autoritet shqiptare në prill; është kjo përpjekje e cila bën të sigurt rrugën tonë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Faleminderit!
17/05/2010