Kryeministri Sali Berisha pret tenorin e famshëm shqiptar Saimir Pirgu
Kryeministri Sali Berisha priti sot, tenorin e famshëm shqiptar Saimir Pirgu. Kryeministri e uroi atë përzemërsisht për suksesin e arritur dje në koncertin recital, të dhënë në Teatrin e Operas dhe Baletit (TOB), në Tiranë.
“Suksesi juaj i mbrëmshëm vjen vetëm pak ditë pas suksesit që patët me ‘Traviatën’ në Operën e Covent Garden, në Londër, së bashku me sopranon shqiptare Ermonela Jaho. Suksesi juaj bën krenar çdo shqiptar dhe ju jeni ambasadorët më të mirë të kombit”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha theksoi se kishte dhënë porosi të veçanta për Ministrinë e Jashtme, që të përpunojë një program të mbështetjes së talenteve shqiptare, që debutojnë në skenat botërore, ashtu si Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, do të mbështesë talentet që zhvillohen në shkollat dhe skenat e vendit tonë. “Ne jemi të ndërgjegjshëm, - tha Kryeministri - që ekonomia e tregut ka rolin e vet në nxitjen dhe formimin e talenteve, por shteti do të ketë gjithmonë rolin primar, sepse kultura është formuesja e identitetit kombëtar dhe asgjë nuk mund të jetë e qëndrueshme dhe jetëgjatë pa këtë identitet që e formojnë artistët dhe shkrimtarët”.
Tenori Saimir Pirgu e falënderoi Kryeministrin Berisha për prezencën e tij të djeshme në koncert dhe pritjen e veçantë që i ofroi sot. “Ngrohtësia që më dha dje publiku shqiptar, nëpërmjet duartrokitjeve, ishte dhurata më e vlefshme që kam marrë këto vjetët e fundit nga të gjitha skenat, ku kam debutuar, sepse artist i vërtetë bëhesh vetëm kur të vlerëson populli yt”, tha Saimir Pirgu. Ai premtoi se do të kthehet përsëri në skenën shqiptare, që është shtëpia e vërtetë e tij.
Në pritje ishte i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferaj dhe drejtori i TOB, z. Zhani Ciko.
17/05/2010