E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Ministrin e Jashtëm bullgar, Nikolai Mladenov.

14 maj 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë Ministrin e Jashtëm të Bullgarisë, Nikolai Evtimov Mladenov dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Pasi i uroi mirëseradhjen “përfaqësuesit të një vendi mik,” Presidenti Topi vlerësoi se “marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe dialogu politik mes dy vendeve tona janë në nivelin më të lartë” si dhe vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të rangjeve të larta për intensifikimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të tyre. Në këtë aspekt, Presidenti përcolli nëpërmjet Ministrit Mladenov përshëndetjet më të mira për Kreun e shtetit bullgar, Parvanov, si dhe dëshirën për t’u takuar së afërmi në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal. Më tej, Presidenti vuri në dukje edhe nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare në fusha me interes të ndërsjelltë si energjitika, infrastruktura, turizmi dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta si Korridori 8 apo gaz-sjellës ndërkombëtarë.

Presidenti Topi bëri një përshkrim të situatës politike aktuale dhe të disa reformave kryesore të ndërmarra në vend si ajo në gjyqësor dhe përmendi sfidat, me të cilat përballemi për përmbushjen e aspiratave integruese të popullit tonë. Në këtë aspekt, Kreu i shtetit, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Bullgaria, “e cila shërben si pikë referimi për ne në disa këndvështrime si vend anëtar i NATO-s dhe BE-së” i ka dhënë përmbushjes së aspiratave integruese të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike dhe përgjatë rrugëtimit të saj drejt gjirit të familjes së madhe evropiane. e falënderoi Ministrin Mladenov për qëndrimin dhe pozicionin e palëkundur bullgar për çështjen dhe njohjen e shtetit të ri të Kosovës.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Mladenov, pasi falënderoi për rritjen e rezervuar, shprehu vlerësimin për rrugëtimin e përbashkët si dy vende mike dhe aleate. Në këtë kuadër zoti Mladenov e siguroi Kreun e shtetit shqiptar mbi vendosmërinë dhe mbështetjen e Bullgarisë për procesin e liberalizimit të vizave në një kohë sa më të shpejtë dhe “për integrimin të plotë të Shqipërisë në strukturat evropiane, pasi kjo do të ishte jo vetëm në të mirë të vendit tonë, por edhe të vetë Bashkimit Evropian.”

Në takim ishin të pranishëm edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme shqiptar, Selim Belortaja si dhe dy Ambasadorët e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë respektivë, Bujar Skëndo dhe Teodor Rusinov.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›