Komisioni për ref.zgjedhore, mosdakortësi për ankimimet

Nuk do të ketë shtyrje të afatit të punimeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, cfarë do të thotë se me mbledhjen e sotme ai do të përmbyllë mandatin. Ky ka qenë vendimi i dalë nga përfaqësuesit e partive politike në komision. Sipas këti vendimi Komisioni i Reformës Zgjedhore do t`i dërgojë Kuvendit një raport për nenet e miratuara, ku ligjvënësi do të vendosë më pas në lidhje me nenet e pamiratuara. Ndërkaq komisioni është shkëputur për një orë pushim, për t`iu rikthyer dhe njëherë punimeve që pritet të zgjasin deri vonë.
Mbledhja e fundit e Komisionit për Reformën Zgjedhore mësohet se është shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së. Pika për të cilën palët debatojnë dhe ende nuk ka një kompromis është përbërja e komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
PS-ja propozon që gjashtë anëtarë të KQZ-së të zgjidhen në rastin aktual tre nga maxhoranca dhe tre nga opozita. Ndërsa i shtati të jetë një kandidat i Gjyqësorit. Sipas opozitës, KLD-ja, Gjykata e Lartë, Avokati i Popullit dhe Dhoma e Avokatëve të propozojnë nga dy kandidatë. Parlamenti, nga tetë emra që do t`i vijnë, të zgjedhë dy prej tyre dhe ata t`i hedhë në votim.
Varianti i dytë, sipas PS-së, është zgjedhja e kryetarit nga Presidenti. Por maxhoranca shprehet se ky propozim nuk është në përputhje me rekomandimin e ODIHR-it, i cili flet për një KQZ të pavarur dhe të paanshme. PD-ja nga ana e saj nuk ka një propozim konkret. PD është e gatshme për një formulë që të gëzojë konsensus sa më të gjerë.
Në kapitullin e KQZ-së ka edhe një pikë e cila ndan dy palët.PS-ja propozon që KQZ-ja e re të nisë punën menjëherë sapo të miratohet në Parlament. Por, demokratët kujtojnë faktin se shtatë anëtarët aktualë të KQZ-së kanë mandat deri në dhjetor dhe nëse atyre u ndërpritet mandati më përpara, kjo është një shkelje e Kushtetutës.
Një tjetër pikë e nxehtë që ende nuk ka gjetur konsensus është edhe ankimimi dhe të drejta e palëve. PS kërkon që të hapen kutitë pas kërkesës të bërë nga 2 anëtarë të KQZ-së, ndërsa PD kërkon që hapja e kutive të bëhet pas fakteve dhe provave të mbledhura për shkelje.
Gjatë mbledhjes do të shqyrtohet edhe përdorimi i teknologjisë në procesin zgjedhor, ku do të shihet mundësia për të gjetur një zgjidhje pas opinionit të dhënë së fundi nga OSBE/ODIHR.
E ndërsa debatet vazhdojnë të dyja palët, do të kenë vetëm 24 orë në dispozicion për të miratuar edhe ndryshimet e fundit në Kod, përpara se drafti t`i kalojë Parlamentit.