AKKP: Ish-pronarët të rinovojnë dosjet
Radhë të gjata pranë AKKP-së. Ata që kanë dorëzuar më parë dosjen, duhet t’i kthehen sërish rinovimit të dokumentacionit
TIRANË- Vendimi i qeverisë për shpërndarjen e fondit të kompensimit financiar të ish-pronarëve për vitin 2008, ka shkaktuar kaos në zyrat e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ish-pronarëve u është dashur dje të përballen me burokraci, lidhur me dokumentacionin që duhet të plotësojnë me qëllim përfitimin financiar nga ky fond. Mungesa e informacionit lidhur me procedurat që do të ndiqen në këtë fazë, ka bërë që ish-pronarët të përballen me radhë të gjata, që orët e para të mëngjesit. Përballë ankesave të shumta që ata kishin, problemi më kryesor për ta ishte fakti se pjesa më e madhe e tyre ende nuk e dinte nëse dosja e plotësuar më parë nga ata, ishte ose jo vlefshme për të përfituar nga fondi. Sipas procedurës së ndjekur deri më tani, i vetmi detyrim për ish-pronarin, në rastin kur dosja ishte e depozituar më parë, lidhej me pagimin e mandat-pagesës prej 2000 lekësh, në një kohë që, nga dje, ish-pronarëve u kërkohet rinovim total i dokumentacionit të mëparshëm. Kësaj here, i vetmi lëshim, për ata që kanë depozituar dosjen me parë qëndron vetëm tek mospagesa e 2000 lekëshit.
Kuponi
Një tjetër problem që po shkakton jo pak radhët e gjata, në ditët e para të dorëzimit të dokumentacionit, lidhet edhe me një udhëzim të fundit të AKKP-së, sipas së cilës, për plotësimin e formularëve, ish-pronarëve u duhet qëmë parë të pajisen edhe me një kupon, që shënon datën se kur duhet të paraqitet pranë zyrës për të plotësuar formularin. Nga financimi i këtij viti do të përfitojnë të gjithë ata pronarë, të cilët jo vetëm nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, por nuk kanë marrë tokë nga zbatimi i ligjit nr. 7501 datë 19/07/1991 ”Për Tokën”. Në listën e përfituesve përfshihen edhe ata, të cilët nuk janë në proces gjyqësor apo proces shqyrtimi të një ankimimi administrativ në lidhje me pronën objekt kompensimi.
Afatet
Afati kur do të shpërndahet ky fond është caktuar muaji dhjetor. Ashtu si edhe vitin e kaluar, fondi prej 5 mln dollarësh pritet që t’u shpërndahet ish-pronarëve fitues vetëm në fund të muajit dhjetor, pra në kufijtë limit të saj, përmes procedurave bankare. Ish-pronarët do të kenë një muaj kohë që të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm dhe me pas do të jetë AKKP-ja, e cila do të bëjë përzgjedhjen kundrejt kritereve të mirëpërcaktuara. Dokumentacioni që duhet të plotësojnë ish-pronarët fillon që me kërkesën për kompensimin financiar sipas formularit tip 1, e deri tek marrja e vendimeve të komisioneve për njohjen dhe kompensimin e pronës.
Dokumentet që do të paraqiten pranë AKKP-së:
-Kërkesa për kompensim financiar sipas formularit tip 1
-Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim sipas formularit tip 2
-Vendimin e Komisionit të Kthimit dhe kompensimit të Pronave për njohjen dhe kompensimin e pronës së bashku me planvendosjen përkatëse.
-Dëshmia e trashëgimisë
-Prokurën e posaçme të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tager i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të subjektit të shpronësuar.
-Fotokopje e noterizuar të dokumentit të identifikimit që ka prokurën e përfaqësimit
-Mandatpagesa (për subjektet që kanë aplikuar më parë fotokopjen e mandatpagesës)