E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika dhe shoqëria civile dënojnë sulmet e Berishës ndaj medias së lirë



Opozita dhe shoqëria civile kanë denoncuar dje sulmet e ndërmarra nga qeveria dhe KKRT-ja ndaj Televizioneve “Vizion Plus” dhe “News 24”. Lëvizja “G99”, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Social-Demokrate dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit e kanë quajtur të turpshme jo vetëm fushatën televizive të Berishës me anë të spotit të kopjuar, por edhe fushatën e gjobave dhe të censurës që kryeministri dhe qeveria e tij po ushtrojnë ndaj këtyre televizioneve dhe gjithë medias së lirë në përgjithësi. Drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, deputetja e PSD-së, Diana Çuli, si dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, kërkuan nga kryeministri Berisha që t’i mbajë duart larg medias së lirë dhe të mos ushtrojë asnjë presion ndaj saj. Ata denoncuan gjobat dhe masat e ndërmarra nga KKRT-ja ndaj Televizioneve “Vizion Plus” dhe “News 24”, të cilat transmetuan spotin e G99-s, i cili denonconte spotin abuziv të kryeministrit Berisha.

G99
Drejtuesi i lëvizjes “G99”, Erion Veliaj, e cilësoi të turpshme fushatën e kryeministrit Berisha dhe institucionit të komanduar prej tij, KKRT-së, për të goditur median e lirë dhe për të ushtruar censurë ndaj saj. Veliaj tha se KKRT-ja nuk ka asnjë të drejtë ligjore të godasë mediat në lidhje me këtë rast. “Kryeministri censuron median duke përdorur si vegël të tij KKRT-në dhe ushtarët e saj, si zonjën Mesila Doda, një ish-aktiviste e lëvizjes ‘MJAFT’, e cila nuk kishte asnjë problem në të kaluarën kur të tilla spote përdoreshin nga lëvizje qytetare në atë kohë kundër ish-kryeministrit Nano, apo kundër ish-ministrit Luan Rama, që ushtroi dhunë asokohe mbi mediat. KKRT-ja nuk ka asnjë të drejtë ligjore të penalizojë këto media. Pikërisht duke parashikuar se një parti politike nuk do të lejohej të bënte opozitë në media, pikërisht duke e marrë parasysh këtë problem që do të dilte, G99-a është e regjistruar në gjykatë si një OJF dhe dokumenti i regjistrimit është bërë publik. Dy subjektet mediatike, pa dyshim, do ta fitojnë gjyqin e këtij rasti, sepse kanë lidhur kontratë krejtësisht legjitime me subjektin “G99”, i cili ka në dispozicion të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore për të transmetuar këtë spot”, - tha Veliaj. Ai u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë për t’u solidarizuar me Televizionet “Vizon Plus” e “News 24” dhe me të gjithë median e lirë, e cila po bëhet viktimë e sulmeve të kryeministrit Berisha. “Së fundi duam të bëjmë një thirrje qytetare për t’u solidarizuar me mediat që janë sulmuar në këtë rast, për t’u thënë atyre se kanë mbetur vetëm 200 ditë derisa jo vetëm ata të marrin frymë lirisht, por dhe të gjithë ne mos të shqetësohemi më nga ky kryeministër”, - tha Veliaj.

PS

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, e cilësoi si fatkeqësi sjelljen brutale të kryeministrit Berisha ndaj medias së lirë. “Shprehim keqardhjen për sjelljen brutale me mediat të kryeministrit të Shqipërisë, i cili nga njëra anë blen me lekët e qytetarëve shqiptarë hapësirë reklamash televizive për veten e tij dhe nga ana tjetër dhunon me gjoba të paligjshme ekranet që nuk shkelin të drejtën shoqërisë civile për ta denoncuar këtë abuzim të shumëfishtë të Sali Berishës”, - tha Ruçi. Duke iu referuar spotit televiziv të kryeministrit, Ruçi tha se Berisha ka abuzuar me lekët e qytetarëve shqiptarë duke prodhuar dhe transmetuar një spot të mirëfilltë elektoral. Ai e akuzoi gjithashtu Berishën se ka abuzuar me ligjin duke përdorur taksat e shqiptarëve për propagandë elektorale. Ruçi dënoi gjobat e ndërmarra nga KKRT-ja ndaj televizioneve që transmetuan spotin e G99-s, që denonconte abuzimin e kryeministrit Berisha. “Sali Berisha ka abuzuar me institucionin e Këshillit Kombëtar të Radiove Televizioneve, duke përdorur ushtarët e tij politikë në atë këshill për të gjobitur, në mënyrë të paligjshme, televizionet që me të drejtën e tyre ligjore transmetuan një spot denoncues për këtë abuzim të kryeministrit të vendit. “Partia Socialiste i bën apel kryeministrit të Shqipërisë të mos shpërdorojë detyrën dhe lekët e shqiptarëve për të bërë propagandë të paligjshme elektorale; të mos ushtrojë dhunë mbi mediat që transmetojnë lirisht dhe ligjërisht opinionet e qytetarëve në larminë e paraqitjes së tyre, përfshirë edhe spotet televizive; të mos luftojë me mjetet e pushtetit shprehjen e lirë e të ligjshme të opinioneve qytetare në media, përfshirë edhe përmes spoteve që nuk bëjnë reklamë politike po që janë pjesë e jetës demokratike pluraliste”, - vijoi Ruçi.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›