E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të respektohet vendimi gjyqësor

Nga KSHH

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), ka ndjekur me vëmendje ndërhyrjen e organeve të policisë për të nxjerrë me forcë gazetarët e gazetës “TemA” nga ambientet që ajo dispononte me kontratë të rregullt, si dhe reagimin e tyre duke e konsideruar këtë veprim të kundërligjshëm dhe përplasje politike.

KSHH, pa e paragjykuar aspak ecurinë e zgjidhjes ligjore të këtij konflikti, duke pasur parasysh faktin se procesi është në gjykim, si dhe faktin se që prej datës 6 janar 2009, Gjykata e Tiranës ka vendosur ndërprerjen e çdo veprimi deri në përfundimin e çështjes objekt gjykimi, vlerëson se ndërhyrjet e organeve të policisë janë të kundërligjshme.

KSHH sjell në vëmendje të çdo shtetasi dhe të zbatuesve të ligjit se “asnjë organ dhe asnjë person nuk ka të drejtë të japë urdhra që bien ndesh me një vendim gjyqësor. E vetmja e drejtë ndaj vendimit të pezullimit të dhënë nga gjykata e Tiranës është ankimimi i vendimit në gjykatën më të lartë.

KSHH iu sugjeron organeve përkatëse që problemin ta vlerësojnë dhe ta zgjidhin në përputhje me ligjin dhe ndaj shkelësve të ligjit të merren masat përkatëse.

KSHH vlerëson se respektimi i një vendimi gjyqësor i dhënë nga një gjykatë është detyrim ligjor për cilindo person ose institucion dhe se është tregues i respektimit të ligjit dhe të demokracisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›