E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia sërish bllokon “TemA”-n, gazetarët punojnë në rrugë

Nga Tema

Policia ka përforcuar rrethimin e gazetës “TemA” dhe nuk lejoi sërish as dje askënd që të afrohet në mjediset e saj. Gazetarët e gazetës qëndruan për orë të tëra para gardhit të policëve, por askush nuk u lejua të hyjë brenda. Shumë gazetarë kanë të kyçura në redaksi sendet personale dhe mjetet minimale të punës, pa të cilat nuk mund të vazhdojnë të punojnë si gazetarë.

Dje paradite drejtori i gazetës “TemA”, Mero Baze, ishte në prokurorinë e Tiranës, ku dorëzoi padinë penale ndaj Drejtorit të Policisë së Ruajtjes së Objekteve të Tiranës, i cili është ngarkuar të ndalojë futjen e gazetarëve në redaksi.

Nuk është e sigurt, nëse redaksia do të arrijë të përgatisë një numër për ditën e diel, pasi përveç disa laptopëve privatë, gazeta ka nevojë për printer dhe dizajnin që gjenden të bllokuar brenda redaksisë. Arkiva elektronike e gazetës po ashtu mungon.

Gazetarët kanë punuar nëpër rrugë dhe internet kafe, ndërsa faqosja e gazetës bëhet në mbrëmje, duke shpresuar të printohet në një redaksi tjetër.

Redaksia falënderon shtypshkronjën që pranoi dje afër mëngjesit të printonte gazetën jashtë radhe, edhe pse nuk kemi pasur një kontratë me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›