Nënë Jovanka, e gëzuar nga lajmet e fundit
Antena brenda familjes
I dashur Damir,
U bë kohë pa të shkruar, por besoj se je mirë. Lajmet nga Tirana janë përditë e më të mira. Ai gazetari që të ra ty më qafë, tani s’ka ku të shkojë. Ta ka marrë hakun deri në fund miku yt. Ia ka djegë makinën dhe i ka bllokuar redaksinë, i ka lënë jashtë në rrugë. Ashtu siç e meritojnë. Kam parë lajmet këto ditë dhe më është bërë zemra mal. Ai rreshti i gjatë me policë që i kishin vënë te dera besoj do ta ketë sjellë në terezi. Duket që do të jetë vit i mbarë ky. U duk që në datë 30 dhjetor, kur ai gjykatësi, që iu bëftë nëna, iu bëftë, i dha të drejtë avokatit tënd. Tani le të thonë ç’të duan, por të paktën ai miku yt një mesazh ua dha qartë, që ka dhe ai gjykatës në dorë. Duhet ta kuptojnë mirë se, po e tepruan, nuk kanë punë vetëm me ty apo me fëmijët e tij, por dhe me gjykatat e policinë.
Fola me Lulin dhe s’e mbante vendi nga gëzimi. “A të kisha thënë, nëna Vankë, që me ne fitojnë të gjithë? Ja, fitoi dhe Damiri që e kishe me merak, se të dukej Shqipëria si vend armiqësor për serbët”, - më tha. Kam parasysh të qeshurën e tij dhe fytyrën e dashur. Zemra mal m’u bë.
I pashë në TV ato rreshtat me policë që rrinin te dera e asaj gazetës së mallkuar që as emrin s’dua t’ia zë në gojë. Sa mirë e ka gjetur ai miku jot arsyen. Se të shau ty ai maskarai. Tha që Berisha ka rrezikuar Sigurinë Kombëtare që të ftonte ty në Mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Ta provojë tani Sigurinë Kombëtare. Më mirë ti në mbledhje të Këshillit të Sigurimit Kombëtar apo ai në një oborr me kartat e identitetit? Natyrisht, më mirë ti. Se ti je mik shtëpie. ǒbëre ti, ç’bëri Shkëlzeni, ç’bëri Argita. Pse me ju do mbajë sekrete kombëtare Berisha? Atij t’ia tregojë vendin.
E kisha me merak të dërgoja të falat e mia për atë Ferdinand Ponin, po nuk i dija adresën. Thashë të flas me telefon njëherë, se më kanë thënë që afër nuk i qëndron dot. Se në telefon s’besoj se ka problem. I thashë Lulit, të fala Ponit, të fala Ponit, po ai, ngaqë folëm anglisht, e ngatërroi.
- Për kë e ka fjalën? - tha.
- He more, ai zëvendësministri që ka emër kërriçi, apo mëzi si i thoni ju…
- Po kush është ky moj nëna Vankë, se s’po i bie dot në të?
- E de, si i thoni ju fëmijës që lind nga pela…?
- Po s’më kujtohet moj nënë Vankë, - më betohej i shkreti djalë.
- Po ke të drejtë të keqen nëna, i thashë, se ai është i madh, si kalë, por ka mbiemër kërriçi, hë mo, një që ka dhe erë prej kali…
Atëherë erdhi në terezi.
- Aha, e ke fjalën për Ferdinand Ponin. Mos ki merak, se ia transmetoj vetë të falat, po mos u lodh shumë, se nuk ka ndonjë meritë ai. Ka bërë ç’i kemi thënë ne. S’ia vlen t’i thuash as faleminderit. Dërgoji ndonjë sapun maksimumi, më tha. Më raftë pika, unë nuk e di si i kanë rregullat ata atje, por s’besoj se nderi kalohet me kaq. Armiku i armikut të djalit tim është miku im. S’e di pse ma nënvleftësojnë. Ja për shembull, këtë Genc Rulin s’e kam pas qejf. Më ke pas thënë ti që në fillim që është tip i rëndë dhe s’para bën ndere. Dhe ti gjithë punët i ke rregulluar me atë Bojaxhiun, jo me këtë. Por dhe ky i fortë doli. Me këtë që bëri në fund më ka kënaqur shumë. Duket njeriu që ka moral dhe nuk bën majtas-djathtas. Rri në rresht, aty ku e kanë caktuar.
Dhe për një gjë m’u bë shumë qejfi. Po sa të goditura i ka bërë emërimet ky Berisha, s’i bën njeri. E shikoj në rastin e këtij maskarait të gazetës “TemA”. Ia ka gjetur tamam. Iu dogj makina, drejtori i zjarrfikësve që ia dogji plotësisht ishte nga Tropoja. Dhe një nga ata inspektorët që e mori në pyetje, nga Tropoja. E nxorën jashtë nga godina, duke i dërguar një drejtor policie nga Tropoja. Dhe shefi i komisariatit që mbulon gazetën është nga Tropoja. Po ajo që ma bëri më shumë qejfin ishte se dhe polici që i kishin çuar te dera e gazetës ishte nga Tropoja. Ashtu ka lezet. Ta kuptojë mirë se ku është pushteti dhe kush e ka në dorë. Se me thënë të drejtën, kur je në hall dhe të gjithë ata me të cilët ke punë janë nga një vend, të nxihet jeta. Më kujtohet që ka thënë njëherë ai Spartak Ngjela “dhe nga Vjena po të ishin të gjithë, do bëhej kryengritje kundër Vjenës, jo nga Tropoja”. Por në fakt ashtu duhet. Se ai duhet ndëshkuar, ta marrin vesh të tjerët. Nuk është puna tek ai. Po, po të mos ndëshkohej ai, do merrnin zemër këta ta tjerët. Janë gjithë televizionet me qira në shtet. I bie njërit që s’prish shumë punë dhe dridhen nga frika këta të tjerët. Nuk guxojnë t’ia dredhin më atij burrit.
Tani po e mbyll letrën. Shpresoj që lajmet e mira të vazhdojnë dhe një ditë të dëgjoj që ajo gazetë e mallkuar nuk del dhe ai maskarai të ngelet rrugëve, siç ka ngelur, pa makinë, por mundësisht dhe pa shtëpi, dhe punë.
Ma përqafo doktorin, kur ta gjesh, Lulin, por dhe atë Ponin po munde.