Ministri Ruli po vepron si një polic politik i Berishës
Gazeta “TemA” është e detyruar të reagojë sërish ndaj gënjeshtrave që ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, shpërndan përmes zëdhënëses së tij.
Së pari, kushtin që për interes publik mund të prishet një kontratë e përmban çdo kontratë, pasi ajo buron nga Kushtetuta e Shqipërisë, e cila në raste të tilla përcakton dhe kush është interesi publik. Për këtë arsye nuk është e nevojshme të fotokopjohet kontrata 20-vjeçare e gazetës “TemA”, por të sqarohet se ku cenohet interesi publik në një territor që është shumë larg nga pjesa ku do të punohet për Kartat e Identitetit, që ka mundësi për rrugë të pavarur, oborr të pavarur dhe që ka mes saj dhe repartit në fjalë dhe dy shtypshkronja të tjera. Në këto kushte, nuk ka asgjë të re nga kontrata mes nesh dhe Ministrisë së Ekonomisë. E vetmja gjë e re është qëndrimi i ri i zotit Ruli. Pas marrjes së njoftimit për prishje të njëanshme të kontratës, zoti Ruli na premtoi se do të negocionte këtë proces, duke na lënë së paku kohë deri në muajin maj që ne të marrim masa për t’u zhvendosur dhe duke na dhënë alternativa të tjera. Tashmë, zoti Ruli del që jo vetëm nuk ka negociuar për këtë proces të natyrshëm të mënyrës se si prishet një kontratë për interes publik, por po vepron si pjesë e policëve politikë të Sali Berishës për ta bllokuar gazetën “TemA”, me qëllim që ajo të mos botohet.
Së dyti, zoti Ruli vazhdon të gënjejë përsëri paturpësisht, kur thotë se ka pasur dhe dhjetë subjekte të tjera me kontratë me ministrinë e tij. I vetmi subjekt që ka kontratë me ministrinë e zotit Ruli jemi vetëm ne. Nëse zoti Ruli ka qoftë dhe një kontratë tjetër, le ta bëjë publike. Ai s’mund të spekulojë me qiraxhinjtë që ka pas futur në atë territor për interesa financiare të ndërmarrjes së vet drejtori i një ndërmarrjeje që nuk varet nga zoti Ruli.
Së treti, duhet t’i kujtojmë zotit Ruli se vendimi i gjykatës për sigurinë e padisë është titull ekzekutiv dhe zoti Ruli është njoftuar që ditën që e kemi marrë dhe na ka uruar suksese. E kuptojmë pozicionin e tij të vështirë dhe faktin që duhet të bëjë deklarata të gënjeshtërta, por është mirë që të zgjedhë, ose të sillet si ministër, ose si zëdhënës i Drejtorisë së Policisë së Objekteve. Të dyja nuk i shkojnë, pasi bëhet qesharak.
Së fundmi, duhet t’i kujtojmë se gazeta “TemA”, për shkak të veprimeve të tij arbitrare, prej ditës së premte është zbuar me forcë jashtë zyrave të saj dhe nuk ka mundësi të botohet normalisht, pasi i mungojnë kompjuterët, baza materiale, madje dhe sendet personale të gazetarëve që i kanë lënë brenda zyrave, të rrethuara me policë. Ministri Ruli do të jetë përgjegjës veç të tjerash, jo vetëm për dëmin moral dhe spekulimet ndaj gazetës “TemA”, që po bën i detyruar për shkak të mungesës së lirisë së tij për të qenë ministër dinjitoz, por do të jetë dhe përgjegjës financiar për humbjet që po na shkakton duke u detyruar të nxjerrim gazetën në kushte lufte me një qeveri që tmerrohet nga media që denoncon korrupsionin.