E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Programi ekonomik e fiskal i Shqipërisë 2012-2014, objektiva kryesore, rritjen e të ardhurave dhe uljen e papunësisë

- Qytetarët shqiptarë do të kenë shansin e madh që të votojnë një program, i cili parashikon rritje të mëtejshme të rrogave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike

- Qeveria është e vendosur që menaxhimin e ekonomisë shqiptare ti’a besojë tërësisht sektorit privat

- Sot për sot, Shqipëria është vendi më privat, por përsëri ka potenciale për ta thelluar këtë proces

Kryeministri Berisha veçoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave vendimin “ Për miratimin e programit ekonomik e fiskal të Shqipërisë 2012-2014".

Kryeministri theksoi se ky program, i cili i përket dy viteve të para të mandatit tjetër qeverisës, do të ketë si objektiva madhore rritjen e të ardhurave dhe uljen e papunësisë. Kryeministri bëri të ditur se qytetarët shqiptarë do të kenë shansin e madh që të votojnë një program, i cili parashikon rritje të mëtejshme të rrogave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike, si dhe një program, i cili nuk parashikon rritje të taksave, por lehtësira të tjera progresive.

*  * *

Kryeministri Berisha u ndal gjithashtu gjatë mbledhjes së sotme në projektligjet, të cilat propozojnë disa ndryshime në ligjin “ Për hidrokarburet”, të cilat kanë lidhje me privatizimin e ALBPETROLIT.  Duke folur për privatizimet në tërësi, Kryeministri u shpreh se - kjo qeveri është e vendosur që menaxhimin e ekonomisë shqiptare ti’a besojë tërësisht sektorit privat. “E vërteta është që ky sektor ka eficence disa here me te madhe ne menaxhim, se sa sektori publik, ndaj dhe nuk mund te këtë asnjë lloj hezitimi për privatizimin dhe shtrirjen e tij gjithnjë e më të thellë.”, vijoi më tej kryeministri.

Duke theksuar se inisiativa e lirë është themeli i kësaj ekonomie, kryeministri tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të privatizuar  gjithnjë e më shumë. Kryeministri bëri të ditur se iniciativa të rëndësishme për privatizim ka edhe në fusha të tjera, duke përmendur këtu iniciativën e Ministrisë së Kulturës për të dhënë në përdorim dhe me koncesion monumentet e kulturës apo dhe në fusha të tjera.

*  * *

Gjithashtu, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha duke shprehur vlerësimin më të madh për rolin e Kryqit të Kuq, porositi Ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, si dhe Ministrin e Shëndetësisë që të nënshkruajnë me Kryqin e Kuq një memorandum mirëkuptimi për të vendosur të gjithë rolin e këtij institucioni në trajnimin dhe ndihmën për sigurinë e rrugëve.

Duke folur për këto vendime, kryeministri Berisha u shpreh:

Është  në rendin e ditës vendimi për miratimin e programit ekonomik e fiskal të Shqipërisë për mandatin që vjen, dy vitet e para të tij, 2012-2014. Natyrisht, kjo po, në rast se duan shqiptarët. 2013 po afron dhe qytetarët shqiptarë do të kenë shansin e madh të votojnë për këtë program, i cili përsëri parashikon rritje të rrogave dhe pensioneve të tyre; për këtë program që parashikon optimalizim të plotë të treguesve makroekonomikë; për këtë program që parashikon, jo rritje të taksave, por lehtësira të tjera progresive.

Unë dua ti informoj shqiptarët për një të dhënë. Ky sulmi që bë Shoku Rama (se kur del me platformë marksiste nuk mund ti thuash Zoti Rama se ofendohet) me taksën marksiste tek Fidelët e tij është i tëri i motivuar nga ndjenja personale, inate personale dhe atavizma të klithmës së të parëve sepse statistikat faktojnë se 40 % e vendeve të punës janë të krijuara nga 1 %  e bizneseve dhe hajde tani tu biem me topin marksist këtyre që të shkatërrohen me mijëra vende pune. Kjo, kurrë nuk do të ndodhë. Ky njeri ka lindur për të dënuar veten  e tij, sepse kalon nga marrëzia në marrëzi, ai kalon nga thënia se ka “1 milion të papunë në Shqipëri”, në një kohë kur 1 milion gjithsej janë krahë pune, tek taksa marksiste.

Ne, në këtë program të dy viteve të para të mandatit që vjen jo vetëm që nuk parashikojmë rritje të taksave, por parashikojmë rritje të rrogave, jo vetëm që nuk parashikojmë rritje të taksave, por parashikojmë rritje të pensioneve, jo vetëm që nuk parashikojmë rritje të taksave, por parashikojmë rritje të ndihmës ekonomike. Dy gjëra do të shoqërojnë këtë program, rritja e të ardhurave dhe ulja e papunësisë, ndaj dhe le ti lëmë zotit Rama modelin marksist të taksimit dhe të vazhdojmë me modelin e lirisë, modelin liberal, i cili bëri Shqipërinë,  një model ekonomik të qëndrueshëm.

* * *

Ka sot në rendin e ditës, ligje të domosdoshme për hidrokarburet, të cilat lidhen me privatizimin e ALBPETROLIT. Kjo qeveri është e vendosur që menaxhimin e ekonomisë shqiptare ti’a besojë tërësisht sektorit privat. Ne kemi qene dhe mbetemi të vendosur në këtë linjë, sepse e vërteta është që ky sektor ka eficence disa here me te madhe ne menaxhim, se sa sektori publik, ndaj dhe nuk mund te këtë asnjë lloj hezitimi për privatizimin, shtrirjet e tij gjithnjë e më të thellë. Ky proces ka qenë shpëtimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky proces ndaloi pothuajse tërësisht gjatë socializmit të dytë të shqiptarëve, sepse përveç Bankës së Kursimeve, nuk u privatizua gjë tjetër. Dhe kjo sepse ata gjithçka e shohin për veten e tyre, sepse u duket vetja zot në politikë, zot në ekonomi dhe kudo, prandaj e ndaluan procesin e privatizimeve, dhe Bankën  e privatizuan sepse iu dha ultimatum FMN-ja.

Unë ju garantoj ju se ky proces nuk do të ketë të ndalur. Sot për sot, Shqipëria është vendi më privat, por përsëri ka potenciale për ta thelluar këtë proces. Ndaj dhe ne i besojmë këtij modeli ekonomik dhe ne do të vazhdojmë. Këto dy ligje janë të domosdoshme për procesin e privatizimit të ALBPETROLIT me të cilin po merret një nga kompanitë më serioze të planetit, e cila është Patton & Boggs, kompani me një reputacion botëror në fushën e konsulencës ekonomike dhe të konsulencave të tjera, kurse me HEC po merret korporata financiare ndërkombëtare  apo dega tregtare e BB. Pra, ne privatizimet i bëjmë që të gjitha me eksperiencën më të lartë që ekziston. Ne jemi me fat të madh sepse për shkak të dinamizmit të ekonomisë, të gjallërisë së saj, nga 3700 ndërmarrje, sipërmarrje private, mbi  50 %  e tyre janë krijuar vetëm gjatë vitit 2005-2009, sipas regjistrimit të sipërmarrjeve private të bërë në vitin 2012. Imagjinoni ju një vend, në të cilin hapen biznese në 4 vjet më shumë se në 15 vjet të marra së bashku. Në vitin 2005 kemi gjetur gjithsej 430 ndërmarrje të huaja, sot janë mbi 3000 sipërmarrje të huaja në këtë vend. Inisiativa e lirë është themeli i kësaj ekonomie. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka të privatizojmë gjithnjë e më shumë. Këto ditë kemi folur për privatizimin e pyjeve. Një mik më shkruante nje letër dhe me thoshte se si do të veprohej me pyjet ne lartësi. Më mirë le të kenë një zot dhe këto pyje, sepse për zot ato kanë vetëm shpendët, gjënë  e egër, pra në tërësi janë jetimë. Unë fola për pyjet, por ka dhe shumë iniciativa të tjera për privatizime. Në këtë kontekst, përgëzoj Ministrinë  e Kulturës për iniciativën, për të dhënë në përdorim dhe me koncesion monumentet e kulturës. Unë  e dëgjoj me shumë vërejtje kritikën dhe në mënyrë absolute nuk hedh poshtë asnjë mendim pavarësisht nga kush vjen. Por kam një pyetje: Cila është kështjella më e ruajtur, ajo që është e banuar apo ajo që është e pabanuar? Pse shumica  e kështjellave në Shqipëri janë të banuara dhe disa të tjera që janë të shkreta nuk u dashka që për to të ketë disa rikonstruksione të lehta për t'u përdorur dhe për të kënaqur vizitorin. Cili është ai që nuk shkon në kalanë  e Beratit për të shijuar një drekë të mrekullueshme? Kalatë nuk kanë qene varreza, kanë qenë mburoja të qendërs së banimit. Në qoftë se ato sot përshtaten sipas kritereve dhe kushteve, pse të rrënohen?! Përkundrazi  le të shfrytëzohen shumë më mirë dhe të krijohen disa të ardhurave. Askush nuk duhet të ketë frikë nga liria e përdorur sipas ligjeve dhe kritereve të caktuara. Pra me këto ligje ne shënojmë një hap të rëndësishëm në platformën tonë të dorëzimit të menaxhimit të vendit qytetarëve shqiptarë dhe individëve.


01/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›