E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Të përkushtuar për vendosjen e standardeve më liberale në tregun energjetik

Kryeministri Berisha tha sot se liberalizimi i tregut të energjisë është një nga drejtimet kryesore të përpjekjeve të qeverisë në fushën e energjisë. Duke folur në Workshop-in për liberalizimin e tregut të energjisë, të organizuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dhe kompania Statkraft që po zbaton një projekt të rëndësishëm në fushën e energjisë hidrike në Shqipëri, tha se energjia përbën drejtimin themelor në projektin Shqipëria, një vend me zhvillim të qëndrueshëm dhe se qeveria është e vendosur të zbatojë standardet më liberale në Europë, në tregun energjetik.

“Ne – u shpreh Kryeministri - nuk kemi frikë nga liria. Ne i besojmë asaj dhe jemi të bindur se, sa më shumë të zgjerojmë hapësirat e saj në ekonomi, sikundër në të gjitha fushat e jetës, aq më i qëndrueshëm do të jetë zhvillimi i ekonomisë sonë, aq më të suksesshme do të jenë investimet e huaja, aq më të sigurt do të jenë ata për suksesin e tyre.”

Kryeministri bëri  një paraqitje të zhvillimeve në fushën energjetike në vend, të potencialeve të mëdha në fushën e energjisë së rinovueshme, investimeve madhore që janë në zbatim dhe atyre të pritshme, duke u fokusuar edhe në disa nga drejtimet kryesore ku janë përqendruar përpjekjet e qeverisë, ERE-s për konsolidimin e sektorit energjetik, me theks të veçantë vendosjen e praktikave më liberale në tregun e energjisë dhe dixhitalizimin e plotë të këtij sektori. “Sot, Shqipëria, - tha Kryeministri - është në skenën e interesave të mëdha të investitorëve europianë e botërore në fushën e energjisë së rinovueshme.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të nderuar pjesëmarrës në këtë Workshop, për një nga problemet më themelore të zhvillimit të vendit, problemin e liberalizmit të tregut të energjisë, për qeverinë time, energjia dhe zhvillimet në këtë fushë përbëjnë drejtimin më themelor në projektin tonë Shqipëria, një vend me zhvillim të qëndrueshëm. Kjo krizë europiane dhe globale fakton dhe provon se një nga shtyllat më kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm është prodhimi i komoditeteve, ndër të cilat energjia është më kryesorja.

Energjia është përparësia më madhore për qeverinë time, sepse Shqipëria ka burime të mëdha të pashfrytëzuara të energjisë së rinovueshme. Ky vend është i bekuar, një vend me plot ujëra dhe me një reliev të atillë që i bën këto ujëra shumë eficente në prodhim energjie, me një pozicion gjeografik të shkëlqyer përballë një prej tregjeve ‘më të uritur’ në Europë, siç është Italia, por edhe i vendosur në një rajon, i cili së shpejti do të ketë dinamizmin më të madh në rritjen ekonomike. Energjia është një nga mundësitë e para e të mëdha për ta shndërruar Shqipërinë në një vend tërësisht të bazuar në energjinë e rinovueshme, çka besohet universalisht se ka epërsi në qëndrueshmërinë e zhvillimit, në raport me të gjitha energjitë e tjera.

Pikërisht për këto arsye, qeveria shqiptare është përqendruar në këtë fushë. Mendoj se në një hark të shkurt 3-vjeçar ia doli të ndezë në këtë vend një garë të paprecedentë në historinë e një vendi. Në një hark kohor të shkurtër, qeveria ka firmosur me sektorin privat 110 kontrata, për rreth 300 hidrocentrale. Në një hark kohor të shkurtër, investimet në këtë fushë po rriten me shpejtësi. Deri tani janë investuar 650 milion euro dhe miliarda janë në investim gjatë viteve që vijnë. Në spektrin e këtyre rreth 300 hidrocentraleve të shtrira në mbarë vendin ka hidrocentrale fare të vegjël e të parëndësishëm, por ka ndër to edhe projekte ndër më të mëdhatë në Europën aktuale, siç është projekti i kaskadës së Devollit i kompanive EVN e Statkraft, një projekt me rreth 1 miliardë euro investim. Kaskada të tjera të mrekullueshme janë të treg, siç është Vjosa, një nga lumenjtë me ujërat më konstantë në vend dhe që lejon me përmbytje minimale ngritjen e një zinxhiri të tërë hidrocentralesh në shtratin e saj; kaskada e Osumit që ka zbritjen me pjerrësinë më të madhe në Shqipëri, zbret nga 900 metra deri në nivelin e detit; degët e Drinit e lumenjtë e Alpeve. Pra, rezervat ujore të Shqipërisë janë të mëdha. Tre javë më parë, gjatë vizitës në Paris, Presidenti i SUEZ do të më thoshte se Shqipëria është një basen natyral i energjisë hidrike. Ndaj unë gjej rastin të falënderoj shumë përzemërsisht Statkraft-in, ERE-n, për organizimin e këtij Workshop-i, për këtë çështje shumë të rëndësishme, pasi përqendrimi në shfrytëzimin e burimeve ekzistuese është një aspekt, por tregu i lirë, liberalizimi i tregut është kusht i të gjitha kushteve për suksesin e të gjitha këtyre investimeve. Ndaj unë jam këtu për t’u zotuar para pjesëmarrësve se qeveria është e vendosur të zbatojë standardet më liberale në Europë, në tregun energjetik. Ne nuk kemi frikë nga liria. Ne i besojmë asaj dhe jemi të bindur se, sa më shumë të zgjerojmë hapësirat e saj në ekonomi, sikundër në të gjitha fushat e jetës, aq më i qëndrueshëm do të jetë zhvillimi i ekonomisë sonë, aq më të suksesshme do të jenë investimet e huaja, aq më të sigurt do të jenë ata për suksesin e tyre.

Duke shprehu kënaqësinë time për këtë temë shumë të rëndësishme që keni përzgjedhur, ju garantoj se qeveria do të jetë shumë e ndjeshme ndaj opinioneve, mendimeve dhe sugjerimeve tuaja të vyera. Enti Rregullator, parlamenti, qeveria janë të vendosur të ndërmarrin të gjitha hapat për të vendosur këtu, standardet më liberale të tregut energjetik, janë të vendosur të bëjnë të gjitha investimet e nevojshme publike, në mënyrë që të funksionojë mekanizmi i liberalizimit të tregut, të mos ketë kufizime për shkak të transmetimit apo shkaqe të tjera. Por të përkushtohesh ndaj liberalizimit të plotë të tregut është një gjë shumë e mirë, ta realizosh këtë është diçka tjetër. Ndaj unë ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për realizimin e praktikave më liberale dhe këtu, ne kemi hapa shumë të rëndësishëm për të ndërmarrë e jo vetëm në shumëfishimin e lidhjeve me tregun ndërkombëtar, tokësor, ujor e të gjithanshëm, por një kusht i domosdoshëm për të qëndruar në lartësinë e këtij procesi është dixhitalizimi i plotë i këtij sektori. Në qoftë se energjia përbën faktorin më kryesor të zhvillimit të degëve të tjera të ekonomisë, dixhitalizimi i saj do të ishte truri i këtij sistemi. Kjo do të jepte mundësi të shfrytëzoheshin të gjitha hapësirat e mëdha të lirisë së tregut, në interesin më të mirë ekonomik të vendit.

Ndaj le të bëjmë një vështrim të gjithanshëm të këtij problemi, duke shprehur kënaqësinë tonë se e vërteta është se sot, Shqipëria është në skenën e interesave të mëdha të investitorëve europianë e botërore në fushën e energjisë së rinovueshme. Unë u ndala tek burimet ujore, por nuk ka ndonjë vend në Europë me më shumë ditë me diell se Shqipëria. Ky vend ka platforma të erës ndër më të fuqishmet, në luginat e zona të tjera të saj, me erë të pandërprerë. Shqipëria ka një nëntokë shumë të pasur në energji gjeotermike. Kompanitë më të mëdha të gjeotermisë kanë konstatuar e gjetur se investimet në këtë fushë në Shqipëri janë shumë të leverdishme. Ne jemi shumë të kënaqur që në këto përpjekje kemi partnerë të një peshe botërore në fushën e energjisë së rinovueshme si Statkraft, EVN, Verbund e shumë e shumë kompani të tjera që kanë treguar e tregojnë interes të madh për rezervat e këtij vendi në energjinë e rinovueshme. Por dua të theksoj se ky interes në fushën e energjisë shkon dora dorës me dinamizmin e ekonomisë shqiptare. Sapo vij nga një takim me zyrtarë të financave, të cilët më informuan se xhiro 11 mujore e ekonomisë shqiptare, sipas deklaratave të biznesit, është 11.6 për qind dhe se qarkullimi total është 22.8 përqind. Pra, kjo ekonomi ka ruajtur e ruan dinamizmin e saj. Në një hark kohor dy vjeçar, 2009-20011, kjo ekonomi mund të jetë  vetmja që ka dyfishuar eksportet, pra, ka dyfishuar prodhimin që eksporton. Edhe ky mjedis optimist, entuziast është një thirrje e inkurajim shtesë për të investuar në fushën e parë, që është energjia. Faleminderit.”


01/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›