Falimenton Malev, linja ajrore hungareze
Linja ajrore kombëtare e Hungarisë, Malev, ka shpallur falimentimit. Në një deklaratë thuhet se pas 66 vitesh veprimtari të vazhdueshme, Malev nuk do ngrihet më në ajër.
Vendimi erdhi pasi Komisioni Europian urdhëroi kompaninë të paguante paratë që kishte marrë në formë ndihme shtetërore nga viti 2007 deri në 2010. Shuma shkonte deri në 130 milion euro, aq sa të ardhurat e vitit 2010.
Kompania kishte rreth 2600 të punësuar dhe 22 avionë. Falimentimi bëri që dy avionë të Malev në Irlandë e Izrael të mos ngrihen dot në ajër. Për sot ishin planifikuar 64 fluturime të Malev, ndërkohë që gjysma e trafikut ajror në aeroportin e Budapestit janë pezulluar.
Malev është një linjë e njohur në Shqipëri si një ndër më të hershmet që kanë operuar në vendin tonë dhe që kanë lidhur Tiranën në mënyrë të përditshme me destinacione të shumta europiane përmes Budapestit.
Lajmi për falimentimin e MALEV-it vjen disa ditë pasi kompania spanjolle Spanair shpalli gjithashtu përfundimin e operacioneve, pas ndërprerjes së subvencioneve qeveritare, për shkak të krizës ekonomike.