E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti i Helsinkit dhe gratë: Ndal dhunës mediatike ndaj Nazime Vishës

Tiranë- Një pjesë ë mediave të shkruara vazhdojnë të mbajnë të stampuar në faqet e para fotografitë e vajzës 18 vjecare Nazime Visha, me një burrë i cili kishte qenë dhunuesi i saj për disa vite me radhë dhe tashmë viktima e saj. Me shprsën e shtimit të tirazheve, gazetat kanë abuzuar me këtë vajzë deri në përmasat e krimit.

Në këto kushte, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Rrjeti kundër dhunës gjinore e trafikimit u është drejtuar me një letër mediave dhe prokurores së përgjithshme.

Përmes kësaj letre shprehim shqetësimin tonë si aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të grave dhe fëmijëve lidhur me mënyrën joprofesionale dhe diskriminuese, me të cilën po trajtohet nga mediat Shqiptare rasti i adoleshentes, Nazime Visha.

Ne jemi po aq të shqetësuara me informacionin që rrjedh nga Institucioni i Prokurorisë dhe me pafuqinë e Prokurores Znj. Ina Rama për të ndaluar rrjedhjen e informacionit.

Faqet e para të gazetave shqiptare në vend që të trajtojnë çështje të tjera shumë të rëndësishme për vendin dhe opinionin shoqëror, trajtojnë me detaje historinë e dhimbshme të një shtetase viktimë e shumë lloj dhunimesh.

  • I kërkojmë Prokurores së Përgjithëshme të ndalojë shpërndarjen e informacionit nga institucioni që drejton për të pandehurit si në rastin e Nazimes.
  • I kërkojmë mediave Shqiptare të ndalojnë së trajtuari çështjen e Nazimes si një telenovelë të përçudnuar vetëm e vetëm se i konsideron histori të tilla si  burim të ardhurash dhe të lejojnë drejtësinë të bëjë punën e saj, në përputhje me ligjin.

Si aktiviste  për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të grave dhe fëmijëve, pretendojmë nga mediat që të jenë më të  kujdesshme për respektimin e të drejtave të shtetasve gjatë hartimit dhe publikimit të materialeve që përzgjedh të trajtojë, sepse kjo është një nga funksionet e natyrshme të tyre në një shoqëri demokratike.

Shpresojmë që institucionet shtetërore e ato të medias se shkruar dhe elektronike të Shqipërisë të marrin parasysh kërkesat tona.

/IDEA/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›