E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi, tre plumba në zarf tatimorit

Lek Dodaj, përgjegjës i tatim-taksave në Bashkinë e Tiranës, u kërcënua për shkak të detyrës

Përgjegjësi i tatim-taksave në Bashkinë e Tiranës është kërcënuar nga persona ende të paidentifikuar, por që dyshohet për shkak të detyrës. Atij i janë lënë tre fishekë poshtë derës së banesës në shenjë kërcënimi për vrasje. Sapo ai i ka gjetur, ka vënë në alarm policinë e kryeqytetit, që ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se për këtë ngjarje janë njoftuar rreth orës 08:30 të mëngjesit të djeshëm. Sipas të dhënave hetimore, Lek Dodaj, 42 vjeç, ka telefonuar në polici dhe ka deklaruar se në banesën e tij ka gjetur në një zarf tre fishekë. Ai ka shpjeguar se fishekët i ka gjetur pranë derës, në oborrin e banesës private. Policia shpjegoi se menjëherë ka mbërritur në vendin e ngjarjes në rrugën “Irfan Tomini”. Dodaj, i cili banonte te “Vila 52”, i ka drejtuar në banesë, duke regjistruar edhe kallëzimin penal. Më tej, oficeri i policisë gjyqësore e ka pyetur të kërcënuarin në lidhje me dyshimet e tij mbi këtë akt kriminal. Ai ka shpjeguar se nuk kishte asnjë konflikt personal. Megjithatë, sipas policisë, në deklaratën e tij, 42-vjeçari ka shpjeguar se ky kërcënim mund t’i ketë ardhur për shkak të detyrës. Më tej ai ka thënë se gjatë kryerjes së detyrës ka pasur debate të ndryshme, por nuk mendonte se ndonjë prej tyre mund të kishte arritur në këto akte kërcënuese.
Sapo policia ka regjistruar kallëzimin penal, ka nisur veprimet hetimore, duke sekuestruar plumbat, që rezultojnë se janë pistolete. Ato janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës me qëllim për kryer ekspertizat e ndryshme dhe për të parë nëse ka gjurmë të mbetura në to, për ndonjë të dyshuar. Gjithashtu, policia ka marrë në pyetje edhe disa persona të dyshuar në lidhje me këtë vepër penale. Por, deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka mundur të identifikojë ndonjë të dyshuar konkret. Sipas nenit 238 të Kodit Penal, kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Sipas policisë, do pritet ekspertiza e plumbave të gjetur në zarf dhe nëse do identifikohen gjurmë në to, atëherë mund të shoqërohen persona konkretë në lidhje me këtë kërcënim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›