Kompania e parë e riciklimit të qelqit në Bubq, Jaupaj: Qasje inovatore për trajtimin e mbetjeve

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ “Albania Glass Recycling” në Bubq të Krujës është kompania e parë e riciklimit të qelqit në Shqipëri, e cila përfaqëson një hap të ri drejt ekonomisë qarkulluese.
Kjo kompani kthen mbetjet e qelqit në produkte me vlerë të shtuar, si pllaka terrazzo dhe materiale filtruese për pishina.
Në prezantimin e kësaj nisme të parë të këtij lloji në Shqipëri ishte i pranishëm edhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj i cili e cilësoi këtë kompani një shembull të qartë të bashkëpunimit midis qeverisë, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Kjo kompani do të sjellë rezultate konkrete për një ekonomi më të gjelbër dhe duke ulur volumin e mbetjeve. Gjatë këtij muaji kemi pasur një sërë përurimesh edhe në qytete të tjera sa i takon stacioneve të grumbullimit dhe riciklimit të mbetjeve, ku një pjesë e mirë e mbetjeve riciklohet dhe rikthehet në treg duke ulur edhe numrin e sasisë së mbetjeve në territorin e vendit, por edhe të mbetjeve që përfundojnë në landfille”, theksoi Jaupaj.
Ministri Jaupaj u shpreh se bashkë me GIZ ka pasur disa angazhime në bashki rurale që bujqësinë e kanë një funksion kryesor të ekonomisë së tyre.
“Në fund të gushtit kryeministri Rama prezantoi reformën e re të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Por kemi një qasje komplet inovatore sa i takon grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve duke sjellë në këtë fazë edhe zgjerimin e ekonomisë qarkulluese”, tha Jaupaj.
Ai theksoi se ky investim i shtohet përpjekjeve të Shqipërisë për të prezantuar këtë lloj politike.
“Para dy javësh ne miratuam në Parlament ligjin “Për menaxhimin e mbetjeve”, çka sjell një qasje të re, por edhe konform legjislacionit të BE-së, ku grumbullimi dhe riciklimi janë në qendër të tij”, tha Jaupaj.
Ministri Jaupaj theksoi se akoma sot normat e riciklimit janë në 18%.
Sipas tij, kjo tregon që tregu shqiptar me 870 mijë tonë mbetje që prodhon në vit është një treg i rëndësishëm edhe për ricikluesit. “Me incentivën që do të jepet nëpërmjet ligjit për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit, kjo do të sjellë edhe një rritje ekonomike të këtyre kompanive”, tha ministri i Mjedisit.
Me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, projekti zbatohet nga GIZ Albania dhe Partners Albania, me bashkëfinancim nga Bashkimi Europian dhe qeveria gjermane.
/k.s/j.p/r.e/