E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë e Sigurimit: Do ulen tarifat për automjetet

SHKRUAN: Blerina Hoxha 25-06-2011 11:10

Tarifat e sigurimit të automjeteve pritet të jenë edhe më të lira, për shkak të efekteve që do të japë vendimi për liberalizimin e tyre. Aktualisht, tarifat e sigurimeve aplikohen mbi kuota fikse, të miratuara nga Ministria e Financave. Ekspertë në shoqëritë e sigurimeve e mirëpresin liberalizimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm. Sipas tyre, në një moment të parë liberalizimi do të sjellë ulje të tarifave, por në afatin e mesëm, tarifat do të rriten për t’ju përgjigjur nevojës për një mbulim real të vlerës së dëmeve. Bardhyl Minxhozi, Drejtor i Përgjithshëm i Kompanisë së Sigurimeve, Interalbanian mendon se, heqja e kontrollit të tarifave, do të nxisë konkurrencën mes kompanive dhe do eliminojë shtrembërimet e tregut. Në fakt, ligji i ri do t’i vërë kompanitë përballë një konkurrencë të hapur dhe ligjore. Për shkak se deri më tani, asnjëra nga kompanitë nuk ka respektuar kuotat fikse të çmimeve të sigurimeve të vëna nga Ministria e Financave. Kompanitë në informalitet kanë dhënë çmime më të ulta për sigurimet, për të përfituar më shumë klientelë. Më pas, kjo praktikë ka gjeneruar informalitet dhe probleme të mëdha me shlyerjen korrekte të dëmeve. Ekspertët e tregut të sigurimeve mendojnë se, liberalizimi i tarifave do të eliminojë konkurrencën e nëndheshme të kompanive duke i vënë ato përballë ofrimit të shërbimeve më të mira, me çmime që i justifikojnë këto shërbime. Vendimi i para disa ditëve i qeverisë i jep të drejtë Autoritetit të Konkurrencës të miratojë rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin të provigjoneve teknike. Kështu kur autoriteti vëren se, kushtet e përgjithshme të sigurimit nuk janë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, miraton vendime, të cilat trajtojnë mënyrën, sipas së cilës shoqëria e sigurimit duhet t’i përputhë ato. Informatizimi do të mundësojë aplikimin e bonuseve për përdoruesit e automjeteve që kanë vite në përdorimin e makinës dhe nuk kanë shënuar incidente. Në zyrat qendrore të AMF funksionon tashmë regjistri online, për sigurimet e detyrueshme, çka do të mundësojë gjatë këtij viti aplikimin e parametrave të Bashkimit Europian për tarifat e sigurimit. Tarifat e sigurimit për zotëruesit e automjeteve, nuk do të jenë të njëjta. Me liberalizimin e tarifave, çdo klient do të mund të paguajë në bazë të historikut të dëmeve, viteve të eksperiencës në drejtimin e mjetit motorik, vjetërsisë së tij dhe shumë komponentëve të tjerë, që në total do të formulojnë politikën e individualizimit të tarifës nga kompanitë. Tregu i sigurimeve të detyrueshme për mjetet motorike, me përgjegjësi ndaj palëve të treta, është i paliberalizuar në Shqipëri. Në praktikën e re synohet një rregullim më i mirë fushën e sigurimeve të detyrueshme, ku parashikohet futja e produkteve të reja të sigurimeve të detyrueshme, si për mjetet fluturuese (avionët), mjetet lundruese dhe sigurimin e pasagjerëve me mjetet e transportit publik. Gjithashtu janë rishikuar limitet e përgjegjësisë, duke i përafruar me ato të vendeve me kushte të njëjta zhvillimi. Kompanitë tashmë detyrohen me ligj që për 90 ditë nga data e aksidentit, të aplikojnë dëmshpërblimin. Tarifat e sigurimit për zotëruesit e automjeteve nuk do të jenë të njëjta. Me liberalizimin e tarifave, çdo klient do të mund të paguajë në bazë të historikut të dëmeve, viteve të eksperiencës në drejtimin e mjetit motorik, vjetërsisë së tij dhe shumë komponentëve të tjerë, që në total do të formulojnë politikën e individualizimit të tarifës nga kompanitë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›