E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga Tiranë- Elbasan, fondi arab fal 5 vjet interesa

SHKRUAN: Sabina Veizaj 25-06-2011 11:11

Rruga Tiranë-Elbasan i ka shtuar një tjetër borxh arkës së shtetit, pavarësisht se është borxhi më i leverdisshëm i marrë ndonjëherë nga ndonjë institucion financiar ndërkombëtar. Bëhet fjalë për një kredi prej 25 mln dollarësh, të miratuar nga Fondi Saudit për Zhvillim. Kredia ka një normë interesi 2 % dhe afat maturimi 25 vjet, nga të cilët 5 vitet e para janë pa pagesë. Pavarësisht se një nga rekomandimet e disa ditëve më parë të Fondit Monetar Ndërkombëtar ishte reduktimi i borxhit, qeveria shqiptare nënshkroi këtë kredi koncensionare, për të vijuar projektin e rrugës Tiranë-Elbasan. Por, në fakt, kjo është kredia më e butë e dhënë ndonjëherë nga ndonjë institucion ndërkombëtar financiar për veprat publike shqiptare. Madje edhe termat e kredisë së Bankës Botërore flasin për një kredi me afat maturimi 17-vjeçar. Ndërsa Fondit Saudit për Zhvillim i ishte kërkuar një kredi nga 15-25 mln dollarë, fondi në fjalë miratoi maksimumin e kredisë së kërkuar për projektin e rrugës Elbasan- Tiranë.

Miratimi zyrtar i kredisë nga Fondi Saudit për Zhvillim është konfirmuar nga Ambasadori i Arabisë Saudit në Tiranë, Abdullah Abdulaziz AL-ABDULKARIM, gjatë një takimi që pati me Ministrin e Financave, Ridvan Bode. Ministri pas nënshkrimit të marrëveshjes falenderoi Ambasadorin për miratimin e kredisë, e cila është me terma shumë të favorshëm financiarë, sidomos kur flitet për projekte infrastrukture, gjë që tregon sipas tij vlerësimin e lartë që ka Fondi Saudit për meritat teknike dhe financiare të këtij projekti. Ndërsa, pak një muaj më parë, një tjetër kredi u nënshkrua për të njëjtin projekt. Financat nënshkruan një kredi 17-vjeçare plus tre vjet pagesë pa interesa, për 222.7 mln dollarë me Bankën Islamike për Zhvillim. Ndërsa norma e interesit është rreth 5 % në total. Rruga Tiranë – Elbasan do të ketë një gjatësi prej 26 km nga 55 km, që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike, për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment. Tre segmentet që do të financohen përfshijnë; segmentin rrugor nr.1, me gjatësi 13 km, që fillon nga unaza e Tiranës deri në hyrjen e tunelit, segmentin nr. 2, i cili përfshin ndërtimin e dy tuneleve të ndarë dhe me dy drejtime të lëvizjes me gjatësi secila prej 2.1 km dhe 2.3 km dhe gjatësi mesatare prej 2.2 km dhe segmentin rrugor nr. 3, i cili ka gjatësi 10.8 km, që fillon në daljen e tuneleve në Km 15 + 200 dhe përfundon në km 26 + 000 në hyrje të qytetit të Elbasanit. Vlera totale e investimit të segmentit është 400 milionë dollarë dhe do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjerë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›