E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: PS vijon të heshtë dhe heshtja flet shumë

Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Erjon Braçe, vazhdon të shprehë pakënaqësi për aksionin politik të forcës së tij politike, pas zgjedhjeve të 8 majit 2011. Në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, deputeti Braçe shkruante dje se “pas HEC-eve, iku edhe porti i Durrësit dhe kombinati i sheqerit në Maliq! Shpronësimi vazhdon! Porti i Kontenierëve u mor nga Kurum. Skandal! Në tetor ’10, Kurum heshti dhe i dha 5000 m2 portit nga kantieri i tij! Në dhjetor u hap tenderi për koncesionin. Dje e mori. Në Maliq, para zgjedhjeve, PD mori kombinatin. Bashkia e mori me gjyq. Sot kryetari i Bashkisë e gjeti bosh! Makineritë janë shitur për skrap!”. Miqtë e deputetit Braçe kanë kërkuar të kuptojnë arsyet sepse hesht Partia Socialiste dhe të zgjedhurit e saj në parlament, dhe përgjigja e Braçes ishte, “Unë po flas! PS vijon të heshtë dhe heshtja flet shumë!”. Më tutje, deputeti ka vazhduar të lëshojë deklarata kritike ndaj lidershipit, ndërsa i referohet edhe çështjes së debatit mbi mandatin e kreut të Bashkisë së Tiranës. Braçe shkruan në vijim të debatit në profilin e tij se “Po ç’tju them?! Ka dalë një sekretar në PS, që i thotë të gjithëve se po të flasim për ato që thotë Erjoni, tërheqim vëmendjen nga Tirana!!! Këta të bëjnë dhe armik domethënë. Ndërkohë që, siç ju e dini, parimi im është: flasim për gjithçka ka interes kombëtar, luftojmë për çdo gjë!!!”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›