E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kompanitë e ndërtimit i paguan 146 milionë euro taksa bashkisë së Tiranës, në 2024-ën

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se të ardhurat e mbledhura nga bashkia e Tiranës në 10 vitet e fundit u rritën me 9-fish.

“Vitet e fundit të ardhurat e bashkisë së Tiranës, këtë duhet ta dëgjojnë të gjithë ata që çojnë fëmijët në shkollë, kopshtet, apo çerdhet europiane, ata që dalin në parqet, ata që kur kthehen nga puna i thonë babës: si kalove sot nga liqeni, janë rritur 9-fish. Kanë qenë 30 milionë euro, kur bashkia “gërhiste”, vjet arritën 271 milionë euro”, u shpreh Rama.

Rama u ndal dhe te teksa për ndërtuesit, për të cilën tha se në 2024-ën u mblodhën 157 herë më shumë se në kohën kur bashkia drejtohej nga PD.

“Tani dëgjoni se sa para ka marrë bashkia e Tiranës nga të pasurit, nga ata që ndërtojnë, për lejet e ndërtimit. Me taksën e “gërhitjes” dhe “ekspertëve të shkëlqyer”, bashkia mblidhte 930 mijë euro në vit. Pjesën e pjesës e dijnë ata, unë se di. Kur me propozim të Erionit, taksa u rrit, në 2016 të ardhurat u rritën me 10-fish pra 9 milionë euro, ndërsa në 2024-ën, janë mbledhur 157-fish, domethënë, 146 milionë euro, vetëm nga taksa e ndërtimit”, deklaroi Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe atyre që thonë se bashkia mbolli kumbulla dhe shtroi beton.

“Dhe atyre që thonë kumbulla, beton apo pallate ju them” po rrugë, blloqe, kopshte çerdhe apo shkolla doni?. Korsi biçikletash, autobus ku sot pensionistët lëvizin falas doni? Po kartë studenti po ushqim për fëmijët në shkolla 9-vjeçare i doni? I doni këto? Me çfarë bëhen këto? Duke rritur barë në sheshin “Skënderbej”, se kishte dhe ca që u ankuan se u betonizua sheshi. Por ata i mirëkuptoj se janë delet e kënetës”, u shpreh Rama në takimin e mbajtur me punonjsë të bashkisë së Tiranës. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›