Deklaratat e Berishës, Rama: Antimitingjet kanë vdekur në vitin 2013 bashkë me ideatorët e tyre

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveritë që bëjnë antimitingje kanë vdekur fiks në vitin 2013, bashkë me ideatorët e tyre që tani kanë statusin monument të opozitarizmit kënetor.
Në një takim me punonjësit e bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, Kryeministri Rama reagoi ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili e konsideroi këtë takim si antimiting dhe për rrjedhojë si krim elektoral.
“Këneta kishte lajmëruar që këtu do bënin një antimiting punonjësit e bashkisë me mua në krye. Madje kishte bërë edhe njoftimin ‘u çmend Edi Rama, plasi, shpërtheu, u çmend, tronditi, ra'”, shtoi Rama.
Sipas tij, Berisha e konsideronte këtë takim si antimiting ku do të protestohej për të burgosurin politik Erion Veliaj.
“Edhe në këtë rast ata në fakt si në çdo rast po ta shikoni shpifin. Nisen nga vetja se pretendojnë se kanë nja 3-4 të burgosur politikë prandaj edhe vetëm lënë nam dhe zhagarra-zhubraviten me turp. Në vend që të mësojnë nga më të mirët duan të na bëjnë edhe ne si veten”, tha Rama.
Por duke iu referuar rastit të burgosjes së Fatos Nanos, Rama kujtoi se “në Shqipëri nuk ka të burgosur politik që nga viti 1997 kur doli edhe i fundit nga burgu që e kishte mbyllur këneta brenda”.
Berisha u shpreh sot se Rama ka thërritur antimiting, në ditën e rrëzimit të shtatores së diktatorit.
“Ky tani mbledh punonjësit, patronazhistët e administratës, që emër për emër do regjistrohen, i garantoj për pjesëmarrje në atë krim elektoral, krim shtetëror”, tha Berisha. /j.p/