Kompanitë të kënaqura me panairin

Kompanitë pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar “Prishtina 2013” janë shprehur të kënaqura me pjesëmarrjen në panair, duke e vlerësuar atë si një mundësi të mirë për t’i ekspozuar produktet e tyre para klientëve nga Kosova dhe më gjerë.
Drejtori i kompanisë së ngjyrave “Bitex”, Ismet Sylejmani, ka vlerësuar se pjesëmarrja në këtë panair është një mundësi shumë e mirë për të qenë sa më afër klientëve, por edhe për të pasur më shumë mundësi për të shkëmbyer ide të reja për biznes. “Edhe në panaire të tjera marrim pjesë si kompani. Në këtë vit po promovojmë produktet tona që i kemi pasur deri tani, por kemi edhe risi të tjera”, ka deklaruar ai. Sipas tij, kompanitë e Kosovës kanë më shumë nevojë të promovohen në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe panairet, shkruan Epoka e re.
Edhe presidenti i kompanisë “Diocotec” nga SHBA-ja dhe Dibra e Maqedonisë, Atli Dobrova, ka vlerësuar se Kosova është një treg shumë i mirë për t’i pasur produktet e tij. “Unë kam ardhur nga Alaska e largët në këtë panair. Kosova është një mundësi e mirë për neve si prodhues”, ka theksuar ai.
Dobrova, i cili jeton në Amerikë, por biznesin e tij e ka shtrirë edhe në Dibër të Maqedonisë, ka thënë se me produktet e tij, që janë stufa të nxemjes, synon ta furnizojë edhe tregun e Kosovës.
Ndërkaq Muhamer Jusufi, drejtor i “Renovës”, kompani e cila për shumë vjet është në tregun e Kosovës, ka thënë se panairi është mundësi e mirë që të jenë më afër klientëve me produkte të reja. “Gjithmonë marrim pjesë në panaire. Kosova është treg i mirë për ne”, ka thënë ai.
Edhe përfaqësuesi i kompanisë “Europrinty”, Alban Zabeli, ka deklaruar se panairi është me rëndësi për ta zgjeruar më shumë klintelën. Ai ka bërë me dije se këtë vit po ekspozojnë edhe produkte të reja.
Mbi 120 kompani nga Kosova, rajoni dhe Evropa po marrin pjesë në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2013”. Ky panair është cilësuar si një mundësi e mirë për komunikim në mes të kompanive vendore dhe të huaja, të cilat e shohin Kosovën si një mundësi të mirë dhe treg interesant. Panairi është organizuar Oda Ekonomike e Kosovës me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe komunës së Prishtinës. Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2013” do të jetë i hapur edhe sot./Indeksonline/