E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi i energjisë për pensionistët, nis puna për listën

Shërbimi Social Shtetëror ka nisur punën për hartimin e listës së qytetarëve, që do të përfitojnë nga falja totale e detyrimeve ndaj KESH-it. Lista e përfituesve pritet të përfundojë brenda dy ditësh, me qëllim aplikimin e menjëhershëm të faljes në datën 22 mars, konform deklaratave të kreut të qeverisë, të bëra në mbledhjen e fundit të qeverisë. Aktualisht llogariten 90 mijë pensionistë që përfitojnë kompensimin. Por, krahas kësaj nisme, që prej vitit 2006, të gjithë pensionistët kryefamiljarë përfitojnë kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike gjatë këtyre viteve. Skema e kompensimit të kësaj kategorie kontrollohet nga ana e Instituti të Sigurimeve Shoqërore. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Përftimit, të gjithë pensionistët marrin në postë, së bashku me pensionin dhe tarifën e caktuar për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë. Politika të kësaj natyre, si: rritja e përvitshme e tarifës së pensioneve apo nisma më e fundit, për faljen e të gjitha borxheve ndaj KESH-it merren nga qeveria, me qëllim ardhjen në ndihmë të kësaj kategorie në nevojë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›