E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi këtë vit duhet të deklarojë edhe pronat në tatime

SHKRUAN: Blerina Hoxha 18-03-2011 12:13

Bashkë me dorëzimin e pasqyrave financiare për vitin 2010, që si afat i fundit është 31 marsi i këtij vitit, biznesi këtë vit do të dorëzojë edhe inventarin e pronave, sipas udhëzimit më të ri të tatimeve për këtë qëllim. Ashtu si çdo vit, data 31 mars është afati i fundit i dorëzimit të pasqyrave financiare dhe formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi fitimin, si dhe formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël. Ndërsa këtë vit, për herë të parë tatimet kërkojnë verifikime shtojcë. Për një administrim dhe verifikim më të mirë të pasqyrave financiare, sipas standardeve të kontabilitetit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nxjerrë një udhëzim që kërkon informacion shtesë për biznesin. Kështu, në bazë të këtij udhëzuesi, krahas dorëzimit të pasqyrave financiare, konform standardeve të kontabilitetit, tatimpaguesit do të dorëzojnë edhe kontratën e qirasë për ambientet e marra me qira, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi. Gjendjen e inventarit te materialeve dhe mallrave, inventarin e mjeteve të transportit në pronësi dhe pasqyrat e aktiveve afatgjata materiale. Qëllimi i udhëzuesit të tatimeve është për një administrim dhe verifikim më të mirë të pasqyrave financiare, sipas standardeve të reja të kontabilitetit. Ky udhëzues shërben për t`i orientuar inspektorët e vlerësimit në punën e tyre. Pasqyrat financiare dhe dokumentacioni shoqërues do të dorëzohen në Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse në tre kopje, nga të cilat një kopje në mënyrë elektronike. Sipas kryetatimorit, Gazmir Spahiu, i cili edhe e ka lëshuar këtë udhëzim, vëmendje do t’i kushtohet verifikimit të pasqyrës së të ardhurave dhe shpenzimeve. Në këtë kontekst, vlerësimi dhe analiza formale e shpenzimeve për pagat, sigurimet shoqërore e shëndetësore, shpenzimet e qirasë, duke i krahasuar ato me dokumentacionin bashkëlidhur pasqyrave financiare dhe situatën financiare të deklaruar gjatë vitit 2010. Ndryshimi i gjendjes së inventarit të produkteve të gatshme dhe prodhimit në proces, i cili duhet të reflektohet drejtë në të ardhurat e njësisë ekonomike, sipas rastit, duke pakësuar këto të ardhura kur kemi të bëjmë me pakësim të inventarit, apo rritje të ardhurash kur kemi të bëjmë me shtim inventari, saktëson udhëzimi i tatimeve. Spahiu udhëzon tatimorët se pasqyrat financiare duhet të kontrollohen e krahasohen me kërkesat e ligjit normat e amortizimit të llogaritur, në përputhje me kërkesat e Ligjit “Për tatimin mbi të Ardhurat”. Gjithashtu, ai kërkon të analizohen shumat e parashikuara për rreziqe (provigjione) afatshkurtra dhe afat gjata, duke kontrolluar në se janë zbatuar drejtë konform Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Udhëzimi kërkon analizë me kujdes te zëri “Fitimet e pashpërndara” duke vepruar sipas nenit 33/1 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar. Kryetatimori gjithashtu kërkon nga stafi i tij që të analizohen dhe të krahasohen të ardhurat nga shitjet neto dhe nga shitje të tjera nga veprimtaria e shfrytëzimit të deklaruara në pasqyrën financiare përkatëse, me atë të deklaruara nga tatimpaguesi në situatën financiare për tvsh, dhe për rastet e tjera kur ka diferenca të evidentohen ato duke kërkuar shpjegimet përkatëse. Tatimorët në kuadër të shqyrtimit të pasqyrave financiare të 2010, duhet të verifikojnë detyrimet tatimore të mbartura nga vitet paraardhës. Mirëpo, krahas dorëzimit të pasqyrave financiare, konform standardeve të kontabilitetit, tatimpaguesit do të dorëzojnë kontratën e qirasë për ambientet e marra me qira, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi. Inspektorët e vlerësimit do të evidentojnë dhe të kontabilizojnë detyrimet e tatimin mbi qiranë për objektet e marra me qira. Për detyrimin e papaguar do të bëhet llogaritja dhe kontabilizimi i kamatëvonesave dhe gjobave. Të dhënat nga shqyrtimi paraprak i pasqyrave financiare, sidomos për tatimpagues me humbje, normë të ulet rentabiliteti, si dhe tatimpagues të cilat gjykohen për verifikime të mëtejshme të deklarimeve në vend, do të evidentohen dhe të dërgohen për ndjekje të mëtejshme Drejtorisë së Kontrollit Tatimor Drejtorët e Drejtorive të Menaxhimit të të Ardhurave të marrin masat e mëtejshme.

Sipas udhëzimit të tatimev,e në kuadër të shqyrtimit të pasqyrave financiare të 2010, duhet të verifikojnë detyrimet tatimore të mbartura nga vitet paraardhës.

Dokumentet shtesë që duhet të dorëzojë biznesi këtë vit në tatime

1-Kontratën e qirasë për ambientet e marra me qira, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi.

2-Gjendjen e inventarit të materialeve dhe mallrave me datë 31.12.2010 (analitik)

3. Inventarin e mjeteve të transportit në pronësi

4. Pasqyra e aktiveve afatgjata materiale

Janar 2010 hyjnë në skemën e sigurimeve 2000 persona

Sipas evidencave të tatimeve, në lidhje me punësimin, vetëm gjatë muajit janar, janë futur në skemën e deklarimit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, rreth 2.000 të punësuar të rinj. Gjithashtu, gjatë vitit 2010, administrimi i Kontributeve te sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ka njohur rritje ndaj vitit 2009. Për periudhën janar- dhjetor 2010 janë arkëtuar 48.1 miliardë lekë, nga 46.6 miliardë lekë të realizuara në janar- dhjetor 2009, ose 3.2 % me shume se, e njëjta periudhë e vitit të kaluar ose për gati 1.5 miliardë më tepër. Gjatë vitit 2010 janë regjistrua rreth 18.343 tatimpagues të rinj.

“Të gjithë treguesit janë realizuar dhe i kanë dhënë biznesit një hapësirë më të madhe, për t’u bërë më i ndërgjegjshëm në deklarimet dhe pagesat e tatimeve, duke pasur parasysh lehtësimin e krijuar për ta, nëpërmjet deklarimit elektronik të formularëve

të ndryshëm tatimorë”, njoftojnë burimet zyrtare në tatime. Gjatë vitit 2010, janë dorëzuar rreth 540.000 deklarata tatimore për tvsh, Sigurimet Shoqërore dhe Tatimin mbi të Ardhurat Personale

Shkurt, plani i tatimeve 101 %

Sipas administratës tatimore, ekonomia shqiptare këtë vit ka pasur ecuri të mbarë. Për shkak se në muajin shkurt 2011, të ardhurat janë realizuar në masën 12.4 miliardë lekë, nga 11.2 miliardë lekë të realizuara në shkurt 2010, rreth 1.2 miliardë lekë me tepër ose 10.3% më shumë. Ndërsa, krahasuar me targetin e vendosur nga Ministria e Financave, rezulton realizim në masën 101.5%, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Kështu Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore janë realizuar për 389 milionë lekë më tepër se në shkurt 2010, ose 11.2% më shumë. Të ardhurat e realizuara nga TVSH, janë 65 milionë lekë më tepër se shkurt 2010 ose 2.5% më shumë. Akciza gjithashtu është 284 milionë lekë më tepër se, 2010 ose 36% më shumë. Tatimi i të Ardhurave Personale është 328 milionë lekë më tepër se, shkurt 2010 ose 18% më shumë. Nga ana tjetër, të ardhurat nga taksat nacionale janë 238 milionë lekë më tepër se, shkurt 2010 apo 49% më shumë. Rritje e të ardhurave është shënuar edhe në aktivitetin e bixhozit. Të ardhurat nga tatimi mbi Lojëra Fatit dhe Kazino janë rritur me 68 milionë lekë, në krahasim me vitin shkurtin e vitit që shkoi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›