Rritja e deklarimeve online, serveri i tatimeve nuk i përballon
Përfshirja në pagesën e TVSH edhe të bizneseve që kanë një xhiro vjetore 2 milionë lekë ka sjellë probleme në deklarimin online të tyre. Mirëpo, kapacitetet teknike të deklarimeve online që administrohet nga tatimet, nuk po e përballojnë dot këtë fluks. Kështu ka shumë kohë që komunikimi online i bizneseve me tatimet, në lidhje me raportimet është bërë një makth, sidomos për komunitetin e biznesit, për të cilët në të shumtën e rasteve nuk arrijnë të realizojnë detyrimin ligjor për deklarimin elektronik dhe kjo jo për faj të tyre. Të gjendur të papërgatitur për rritjen e kapaciteteve të deklarimit online, tatimet e kanë pranuar situatën. “Si pasojë e disa ndryshimeve teknike, që po realizohen në sistemin e deklarimit elektronik të detyrimeve tatimore, bazuar në udhëzimin nr.17, datë 13.05.2008, “Për TVSH-në”, i ndryshuar, gjatë ditëve të fundit, janë vënë re disa probleme që kanë të bëjnë me vonesa apo parregullsi gjatë procesit të dorëzimit në mënyre elektronike të regjistrimeve mujore të librave të shitjes dhe blerjes” njoftojnë tatimet. Kështu që, nisur nga ky fakt, tatimet i bëjnë thirrje biznesit që mund të vazhdojnë, të kryejnë deklarimin e librave të muajit shkurt 2011 edhe pas datës 7 mars 2011. Ka kohë që transmetimi online i të dhënave nga kasat, i vështirë dhe me kosto të lartë për biznesin e vogël. Orët e mbrëmjes, kur bizneset e vogla mbyllin aktivitetin e ditës dhe duhet të transmetojnë drejtpërdrejt të dhënat në Drejtorinë e Përgjithshme të tatimeve janë kthyer në makth për drejtuesit e këtyre bizneseve. Arsyeja është njësia qendrore (serveri), i cili në orët e mbrëmjes bllokohet nga ngarkesa e transmetimit të të dhënave nga të gjitha bizneset. Gjithashtu dhe kostoja e lartë e gjithë procesit, që nga blerja e kasës fiskale dhe blerja e riblerja e aksesorëve. Nga bisedat që gazeta “MAPO” ka pasur me disa prej drejtuesve të biznesit të vogël, ata janë shprehur të shqetësuar për ecurinë e bizneseve të tyre dhe mënyrën e re të deklarimit të të dhënave. “Bleva kasën tek një nga kompanitë e autorizuara dhe aksesorët e duhur. Kasa ishte shumë e shtrenjtë, pavarësisht se më vonë qeveria vendosi kompensimin. Ajo që është shqetësuese është kostoja dhe vështirësia që hasim gjatë transmetimit të të dhënave online çdo mbrëmje në mbyllje të aktivitetit”, thotë Arturi, pronar i një bari të vogël Tiranë. Njësia qendrore e transmetimit të të dhënave është e ngarkuar dhe na duhet të provojmë disa herë rresht, derisa të dhënat tona të ngarkohen në sistem, shpjegon ai. Duhet të provosh disa herë do të thotë të shpenzosh një copë letër që kushton plot 100 lekë të reja sa herë transmetimi dështon, për shkak të ngarkesës dhe të shpenzosh bojë printeri që kushton 140 euro.