E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Zhvillimi rajonal, nxitje drejt integrimit në BE”



Ervin KOÇI

Menaxhimi i zhvillimit rajonal për territore dhe rajone të caktuara të vendit është në qendër të projekteve që donatorë të huaj në bashkëpunim me qeverinë shqiptare po zhvillojnë. Në lidhje me këto nisma, përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, të organizatave ndërkombëtare dhe autoriteteve vendore, morën pjesë në konferencën “Integrimi Europian, njohuri, risi dhe qeverisje demokratike për zhvillim” - Roli strategjik i bashkëpunimit të decentralizuar në sektorët e ekonomisë, mjedisit, shërbimeve dhe trajnimeve. Gjatë konferencës u diskutua për progresin e bërë në zhvillimin e ekonomisë, mjedisit dhe edukimit në 10 vitet e fundit, si pjesë e bashkëpunimit të decentralizuar. Zv.kryeministri, Ilir Meta tha se programi i zhvillimit rajonal është i rëndësishëm për nxitjen e politikave integruese të vendit. Konferenca do të përmbledhë progresin e bërë në fushat e zhvillimit të ekonomisë, mjedisit, shërbimeve dhe edukimit në 10 vitet e fundit si pjesë e bashkëpunimit të decentralizuar. Diskutimet do të fokusohen drejt identifikimit të strategjive të bashkëpunimit, duke përfshirë strategjitë për zhvillimin e rajoneve Shkodër e Vlorë, ndërmjet aktorëve nga Shqipëria, vendeve të Ballkanit dhe partnerëve ndërkombëtarë për arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit, si një hap drejt Integrimit Europian. Kjo konferencë u zhvillua në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Programi i PNUD-it “Art Gold 2”, si dhe Ambasadën e Italisë në Shqipëri.

Integrimi
Zv.kyeministri u shpreh se integrimi europian qëndron në zemër të gjithë politikave dhe reformave të qeverisë dhe integrimi në Bashkimin Europian mbetet destinacioni përfundimtar. “Liberalizimi i vizave është një arritje e madhe e cila i ka kthyer dinjitetin qytetarëve shqiptarë. Integrimi europian është qëllimi i të gjitha reformave që ne kemi ndërmarrë. Në këtë kuadër kemi kryer reforma të shumta ekonomike, duke liberalizuar tregun dhe krijuar një ambient lehtësues e tërheqës për bizneset dhe investimet e huaja, kemi rritur konkurrueshmërinë në sektorin publik dhe atë privat, kemi rritur mirëqenien ekonomike të qytetarëve. Për të çuar më tej këto reforma nevojitet kontributi i të gjithëve, përmirësime në infrastrukturë dhe forcim i demokracisë”,- u shpreh Meta. Sipas tij, “qeveria është angazhuar se sfidat e Integrimit Europian mund të shkaktojnë debate publike mes aktorëve kryesorë të cilët sqarojnë procesin e hartimit të politikave të tilla si: komuniteti i biznesit, shoqëria civile, akademia, etj, në mënyrë që kontributi i të gjithëve do të përshpejtojë këtë proces”.

Projekti
Projekti për zhvillimin rajonal dhe integrimin europian vjen si bashkëpunim me qeverinë italiane dhe “Art Gold 2”, që është pjesë e programit të Kombeve të Bashkuara për promovimin kombëtar bashkëpunues dhe zhvillimin rajonal. Përfaqësuesja e UNDP-së, Zineb Touimi-Benjelloun, u shpreh se, “programi fokusohet në decentralizimin e bashkëpunimit ekonomik, mjedisor dhe zhvillimit infrastrukturor. Programi mbështetet nga OKB-ja dhe është zbatuar në 18 vende të ndryshme në botë. Në Shqipëri vlen për t’u theksuar përfaqësia me 30% e grave në institucione dhe poste të ndryshme që ndikon në zhvillimin e demokracisë dhe fuqizimin e ligjit”. Ndërsa Ambasadori italian në vendin tonë Saba d’Elia deklaroi: “Risitë e sjella nga programi ‘Art Gold 2’ në Shqipëri në bashkëpunim me shtatë rajone të ndryshme të Italisë dhe me bashkitë e Shkodrës dhe të Vlorës kanë mbështetur politikat qeveritare për zhvillim rajonal. Synohet fuqizimi i institucioneve rajonale për bashkëpunim të decentralizuar në mbështetje të kërkesave të popullatës në fushat ekonomiko shoqërore, mjedisore, fuqizimin e ligjit etj. Projekti është iniciativë e qeverisë italiane dhe deri tani janë investuar 15 milionë euro”.

Shkurt
Rritja e taksave për telefoninë, Ekspertët: Ndërhyrja nuk do ulë çmimet

Ekspertët e Ekonomisë nuk e vlerësojnë një ndërhyrje të drejtë nga ana e qeverisë, rritjen e taksave për telefoninë celulare dhe sistemin bankar, si një mënyrë për të ulur çmimet për qytetarët. Një deklaratë kjo e bërë pak ditë më parë nga kryeministri Berisha. Sipas ish-ministrit të Financave, Anastas Angjeli, qytetarët meritojnë shërbime telefonike dhe bankare me kosto të ulët, por kjo duhet të realizohet në bashkëpunim me entet rregullatore të këtyre tregjeve dhe jo nëpërmjet politikave fiskale të cilat rrezikojnë të japin efektin e kundërt. “Vendosja e një tatimi të ri nuk do të sjellë gjë tjetër veçse do të risi çmimin dhe në fund qytetarit do ti shtohet një shërbim me kosto më të lartë. Kjo çështje duhet t’i lihet me mirë në kompetence institucioneve të tregut, enteve rregullatore, Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, për shërbimet bankare që të marrin vendimet përkatëse bashkë me Autoritetin e Konkurrencës”,- u shpreh Angjeli.

DASH: Ekonomia shqiptare është përmirësuar vitet e fundit

Departamenti Amerikan i Shtetit, ka përditësuar të dhënat për Shqipërinë duke nënvizuar se, ekonomia e këtij vendi është përmirësuar në mënyrë thelbësore gjatë viteve të fundit, duke lënë pas vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, Shqipëria konsiderohet ende si një nga vendet më të varfra të Europës. Sipas të dhënave paraprake nga Banka Botërore 12.4 për qind e popullsisë jetonte nën limitin e varfërisë në vitin 2008 dhe ky është një përmirësim i ndjeshëm duke pasur parasysh se në vitin 2002 kjo shifër ishte 25.4 për qind. Papunësia sipas të dhënave zyrtare në Shqipëri është 12.75 për qind. Sipas këtyre të dhënave, sektori i turizmit ka pësuar një rritje të ndjeshme. Ekonomia shqiptare nuk u prek nga kriza botërore, ndërsa pësoi rritje prej 2.8 për qind në vitin 2009 sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kreditë, bizneset ankohen për normat e larta të interesit

Bizneset po përballen me norma të larta të interesit të kredive, gjë që ka tkurrur kërkesën për hua nga ana e tyre, një fakt ky i konsideruar shqetësues nga Banka e Shqipërisë. Përfaqësues të sipërmarrjes private denoncojnë kreditë e shtrenjta që po aplikojnë bankat, të cilat sipas tyre nuk janë të përqendruara në kreditim, por tek përfitimi nga komisionet për shërbimet e tjera që ofrojnë. Politikat shtrënguese në kreditim janë shqetësuese veçanërisht për sektorë si bujqësia, që konsiderohen me shumë risk. Tashmë prej 2 vjetësh, bankat po zbatojnë politika shtrënguese në kreditim, të cilat janë reflektuar me rritje të normave të interesit dhe me shtim të procedurave. Por këto masa nuk kanë frenuar rritjen e kredive me probleme, tregues që në nëntor të vitit 2010 arriti në 14.4%.

Dioksina, Kosova nuk importon ushqime për kafshë nga Gjermania

Kosova nuk importon produkte nga Gjermania me përbërje të dioksinës. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Inspektorati i Blegtorisë dhe i Veterinës, po përkujdeset për kontrollin e cilësisë dhe përbërësve të ushqimit të koncentruar, për kontrollin e kushteve të ruajtjes dhe deponimit nga operatorët. Sipas dispozitave ligjore, asnjë kontingjent i importuar apo i prodhuar në vend nuk lejohet të vihet në qarkullim pa analizat paraprake kimike dhe mikrobiologjike. Adil Behramaj, zyrtarë për informim në Ministrinë e Bujqësisë ka bërë me dije se, duke u bazuar në të dhënat që ka kjo ministri, asnjë nga operatorët e licencuar për prodhimin dhe tregtimin e ushqimit të koncentruar për kafshë dhe aditivë, nuk importon nga Gjermania dhe shtetet perëndimore misër. Sipas tij, rreziku që Kosova të preket nga kimikati helmues është shumë i vogël.

Interesat e larta të kredive, falimentojnë 1400 biznese në Kosovë

Në Kosovë, vetëm gjatë vitit 2010, janë mbyllur rreth 1400 biznese, thonë zyrtarë të qeverisë në dorëheqje. Sipas tyre, kamatat e larta për kredi, mbetet arsyeja kryesore e falimentimit të bizneseve. Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, nuk pajtohen me arsyen e mbylljes së kompanive. Arsyet, sipas tyre, janë të ndryshme, por në shumë raste, falimentimi ka ndodhur si pasojë e pamundësisë se kthimit të kredisë, për shkak të kamatave të larta të interesit. Naser Graiçevci, shefi i Agjencisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, thotë se kjo agjenci tashmë ka identifikuar faktorët që po ndikojnë në mbylljen e bizneseve. Ai thotë se në mesin e shumë faktorëve të falimentimit të kompanive, paraqitet mungesa e mjeteve financiare dhe ekonomia e paligjshme. Mbyllja e bizneseve po krijoj shumë vende pune të mbyllura duke ndikuar në rritjen e shkallës së varfërisë.

c

14 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›