Kompozitorët e njohur shqiptarë në një frymë moderne

Këngët e njohura shqiptare “Hej o ju Male”, “Vajzë e Vogël”, “Baresha” e shumë e shumë të tjera në një frymë moderne, publiku kosovar do ta ketë rastin t’i dëgjojë nesër në koncertin e Ansamblit të muzikës klasike “Rexho Mulliqi” në Teatrin Kombëtar.
Veprat e kompozitorëve Rexho Mulliqi, Simon Gjoni, Limoz Dizadri, Prenkë Jakova, të cilat do të sillen nesër nga kompozitorët Kushtrim Gashi, dhe Drino Zymberi u cilësuan si perla të muzikës shqiptare, në një konferencë për media të dielën nga organizatorët e koncertit.
Kompozitori Kushtrim Gashi ka thënë se veprat e këtyre kompozitorëve duhet që të bëhen ambasadorë të Kosovës në botë.
“Në cilësinë e kompozitorit do të thosha se për mua ka qenë shumë interesant për t’u njoftuar edhe më shumë me veprat, siç tha edhe Luani, kompozitorëve të njohur shqiptarë, por me i sjellë në një frymë pak më moderne, meqenëse sot jetojmë në një kohë më të avancuar dhe jemi munduar që ato t’i sjellim tamam në këtë frymë të cilën nesër do t’i dëgjojë publiku”, ka thënë ai.
Ndërsa solisti Luan Durmishi, duke përkujtuar se muzika në Kosovë është “Vrima e fundit e kavallit”, ka thënë se me përpjekjet e tyre do të arrijnë që koncertin ta shfaqin edhe në vende tjera të botës, me qëllim që ta bëjnë sa më të njohur muzikën dhe kulturën shqiptare.
“Do të arrijmë edhe në qytetet tjera ta realizojmë koncertin e tillë apo koncertet e tjera. Unë jam në përpjekje që me flautisten Ermira Çitaku, e cila është anëtare e ansamblit që së shpejti koncertin ta mbajmë në Paris. Unë jam në kontakte dhe me Japoninë, ku do ta dërgoj materialin e koncertit të nesërm në Saporo të Japonisë. Jam në kontakte me Zvicrën dhe besoj që brenda këtij viti patjetër që në njërin prej këtyre shteteve ansambli “Rexho Mulliqi” do ta mbajë këtë koncert dhe të tjera”, theksoi ai.
Ansambli do të përbëhet nga 17 instrumentistë, me dirigjent Kushtrim Gashin, solist Luan Durmishin. Mysafire speciale do të jetë sopranoja Jeta Çitaku.
Koncerti i ansamblit “Rexho Mulliqi” mbahet nesër mbrëma në Teatrin Kombëtar, duke filluar nga ora 20.00 /kosovapress/