E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i librit, më 3 maj

Nga Express më 01 maj 2011 në ora 21:30

Prej 3 deri më 9 maj në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të mbahet edicioni i 13-të i Panairit ndërkombëtar të librit “Prishtina 2011”, që organizohet nga Unioni i Botuesve të Kosovës.

Ceremonia e hapjes së panairit bëhet në hyrje të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve më 3 maj, në ora 18:00, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë nga Presidenca dhe Kryeministria e Republikës së Kosovës, komuna e Prishtinës si dhe autorë e botues me renome nga vendi, rajoni dhe bota.

Me rastin e hapjes do të bëhet edhe një vizitë, e udhëhequr nga kryesia e UBK-së, nëpër secilin prej prezantuesve të librit në panair.

Deri më tash pjesëmarrjen në këtë panair e kanë konfirmuar botues nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Turqia, Gjermania, Zvicra, Anglia. Shkrimtar të ndryshëm nga këto vende dhe më gjerë do të marrin pjesë në këtë ngjarje.

Një ndër aktivitetet kryesore të panairit është konferenca shkencore letrare “Agim Gjakova në letrat shqip” më 5 maj në sallën e shkollës amerikane (ASK), afër pallatit të rinisë në orën 18:00.

UBK ka planifikuar vendosjen e stendës së nderit me përfaqësues të komunës së Bujanovcit, ku gjatë gjithë panairit do të mblidhen libra për bibliotekën e kësaj komune.

Panairi do të ofrojë një dinamikë të aktiviteteve duke mbajtur kështu vëmendjen e vazhdueshme të vizitorëve, mediave dhe dashamirëve të tjerë të librit.

Programi i promovimit të librave të rinj përfshin dhe konferencat do të vihen në dispozicion për vizitorët dhe fillon që nga data 4 - 7 maj. Këto promovime do të organizohen në sallën e Shkollës Amerikane (ASK) dhe në hapësirën e katit të dytë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Panairi do të kurorëzohet edhe me ndarje të çmimeve për stendën më të mirë të panairit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›