Kompromisi për krizën, ambasadorët trokasin në zyrën e Ramës dhe Berishës

Diplomati spanjoll dhe kreu i delegacionit të KE-së kërkojnë marrëveshje. Institucionet kushtetuese, një opsion
Në kushtet e krizës politike, ku opozita ka kushtëzuar hyrjen e saj në Parlament prej disa muajsh dhe mazhoranca refuzon të plotësojë kërkesat, komuniteti ndërkombëtar rikthehet si protagonist. Ambasadori spanjoll në Tiranë, vendit që ka marrë presidencën e radhës së BE-së, Emanuel Montobio, i shoqëruar nga ambasadori i KE-së në vendin tonë, Helmuth Lohan, zhvilloi takime me Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Veç të ardhmes së vendit tonë në BE dhe synimeve të presidencës spanjolle, është folur edhe për situatën politike të muajve të fundit. Fokusimi në këtë çështje është pranuar nga selia rozë, ndërsa në njoftimin e Këshillit të Ministrave nuk përmendet në asnjë rresht nëse dy ambasadorët janë shprehur për krizën politike. Burimet diplomatike sqarojnë se ambasadorët kanë kërkuar nga Partia Socialiste që të hartojë një paketë kërkesash për të zgjidhur ngërçin politik.
Në këtë kuptim mësohet se një opsion i qartë është edhe balanca e disa institucioneve kushtetuese. Një prej tyre është Gjykata Kushtetuese, një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të së cilës pritet të ndryshojnë në muajt e ardhshëm. Ndërsa Rama dhe Lohan nuk kanë dhënë asnjë koment pas këtij takimi, ambasadori Montobio e pa të udhës që të përforcojë edhe një herë mesazhin e Bashkimit Europian, duke kërkuar dialog si mënyra e vetme për të dalë nga kriza aktuale politike. “Qëllimi i këtij takimi, siç e kam thënë edhe më parë, është prezantimi i prioriteteve të presidencës spanjolle. Këshilli Europian e ka bërë të qartë se mënyra më e mirë për të mbrojtur pozicionet e tyre është dialogu konstruktiv nga ana e të gjitha partive politike. E unë këtu atë përfaqësoj, Këshillin Europian, Komunitetin Europian”, tha ambasadori Montobio.
Ndërsa sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë, e pranishme në takim, Arta Dade, theksoi pas takimit se me ambasadorët janë diskutuar disa çështje mes të cilave edhe situata aktuale politike në vend. “Folëm edhe për situatën politike në vend, e cila kërkon që të ketë një angazhim nga mazhoranca. Partia Socialiste është e gatshme të bëjë atë që është më e mirë për interesat e vendit”, u shpreh Dade. Pas vizitës në selinë rozë, dy ambasadorët iu drejtuan Kryeministrisë, ku zhvilluan edhe një takim me kreun e ekzekutivit, Sali Berisha.
Zyra e shtypit e Kryeministrisë njofton se ambasadorët Montobio e Lohan i shprehën Kryeministrit Berisha angazhimin dhe vendosmërinë e plotë të BE-së dhe presidencës spanjolle për të mbështetur plotësisht përpjekjet e qeverisë shqiptare për ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe proceset e tjera të lidhura me të, si ai i heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Kryeministri Berisha vlerësoi se presidenca spanjolle e BE-së vjen në një moment historik dhe se ka privilegjin të ofrojë kontributin në implementimin e Traktatit të Lisbonës, si presidenca e parë pas hyrjes së tij në fuqi.
#