E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Gjenova, me Kronikë nga Bienalja e Tiranës

Veprimtaria
Në muzeun “Villa Croce”, takime dhe aktivitete mbi skenën artistike shqiptare

është mbajtur në Gjenova të Italisë, në muzeun “Villa Croce”, takimi i parë kushtuar skenës artistike shqiptare. Titullohet “Kronikë nga Bienalja e Tiranës” dhe është një veprimtari që vjen në kujdesin e Stefano Romano-s e Francesca Serrati-t. Bashkë me të është vendosur edhe ekspozita “Kaq pranë dhe kaq larg. Arti në Shqipëri para dhe pas 1990-s”. Ky aktivitet ka për qëllim të krijojë kontakte dhe të hapë debate në mënyrë që të zgjerohet më tej njohja dhe prodhimtaria e praktikave artistike në Tiranë dhe në të ashtuquajturat zona periferike.
Takimet janë menduar të organizohen një herë në javë dhe do të kenë si temë diskutimi disa prej projekteve artistike më domethënëse të çelura në Tiranë gjatë këtyre viteve të fundit. Takimi i parë është çelur nga Sabit Shkreli, artist dhe asistent i projektit “1.60 Insurgent Space”, ku ka folur për disa prej pikënisjeve dhe realizimin e objektivave të këtij projekti. Takimi i dytë që do të mbahet më 20 janar do të sjellë para pjesëmarrësve Gëzim Qëndron, murator në Bienalen e Tiranës së bashku me Edi Mukën.
Ai do të thellohet më tej në të gjitha sa i përket këtij aktiviteti të rëndësishëm që zhvillohet për çdo dy vjet në kryeqytet, duke iu referuar sidomos edicionit të fundit të saj. Më 27 janar, që është edhe takimi i fundit, do të jetë Stefano Romano, artist, murator dhe bashkëthemelues i TICA (Tirana Institute for Contemporary Art), i cili do të diskutoje mbi këtë projekt, si lindi, dhe projektet e ardhshme të tij.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›