Berisha universiteteve: Provimet tuaja, të korruptuara

Kryeministri apelon për cilësi dhe një menaxhim më të mirë të fondeve në institucionet e arsimit të lartë
Korrupsioni në universitete duhet ndalur. Duhen gjetur sisteme të reja që provimet të dalin nga skema korruptive.
Kryeministri Sali Berisha, në konferencën “Cilësia në arsimin e lartë dhe procesi i Bolonjës, gjendja dhe perspektiva”, për herë të parë është shprehur me tone realiste lidhur me fenomenin e korrupsionit në shkollat e larta publike në vendin tonë, duke e pranuar hapur atë.
“Nuk ka më të papranueshme, më të rëndë, sesa kërkesa që i bën pedagogu studentit për shpërblim për notën. Kur një akt të tillë e bën një polic, anëtar i policisë rrugore, ai kryen një krim dhe ndëshkohet e do të ndëshkohet, por kur e bën një anëtar i stafeve akademike, i elitës së kombit, kjo është tmerrësisht e rëndë”, tha Kryeministri Berisha. Ai theksoi se me një sistem, ne ia dolëm të zerojmë korrupsionin në pranimet universitare, tani beteja jonë duhet të jetë për provimet. Kreu i qeverisë ka ftuar rektorët, dekanët dhe pedagogët, të adaptojnë në provime metodat më të papërshkueshme nga korrupsioni. “Le të jenë më të dobëta, ta supozojmë fishat që ju formuloni, por ju garantoj se do të japë një cilësi dy herë më të madhe”, tha Berisha.
Dikur pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, shefi i ekzekutivit i është referuar eksperiencës së tij dhe asaj botërore lidhur me cilësinë e munguar të universiteteve tona sot. Ai ka kërkuar ndryshim të raporteve pedagog-student, pasi vetëm kështu mund të arrihet cilësia. Në këtë takim me rektorë, dekanë dhe profesorë, për implementimin e Sistemit të Kartës së Bolonjës, Berisha u shpreh se rritja e numrit të studentëve është thelbësore, por nuk mund të pranohet raporti ekzistues, kur një pedagog u jep mësim mbi 50 studentëve.
“Me këtë raport nuk ka cilësi, nuk ka kërkim shkencor. Unë ju garantoj se pa një veprimtari kërkimore-shkencore, mësimdhënia si e tillë nuk mundet të zhvillohet, nuk mund të progresojë, të azhurnohet dhe të jetë bashkëkohore. Ju garantoj se qeveria do t’ju mbështesë, por edhe ju duhet të gjeni format më të përshtatshme për rekrutimin e më të mirëve”, vijoi shefi i qeverisë. Ai përmendi edhe faktin se në mes 135 mijë studentëve ka një numër të madh talentesh të shkëlqyera, por edhe mijëra të tjerë që studiojnë në shkollat më të mira të Perëndimit, të cilët, ndonëse jo të gjithë, në qoftë se do të mund t’u krijohej një mjedis miqësor, premtues, nuk do e refuzonin mësimdhënien në universitet.
Një tjetër çështje që u vlerësua me vështrim kritik ishte edhe ajo e realizimit të investimeve në universitetet publike shqiptare. “Tre vjet më parë, katërfishuam investimet për universitetet, por realizimi i tyre ishte zero. Zhvillimi i kapaciteteve menaxheriale, në një kohë kur po punojmë për një sistem të ri financimi, është vendimtar për Shqipërinë. Nuk është se universitetet do të jenë të pasura, por rëndësi jetike ka që fondet t’i përdorni në mënyrën më racionale, më eficente”, ka porositur Kryeministri. Sipas tij, është detyrë e rektorëve dhe dekanëve të punojnë për krijimin e njësive menaxheriale apo përmirësimin e fuqisë menaxheriale të tyre. “Përndryshe, tha Kryeministri, jo vetëm financat që mblidhni vetë, por edhe ato që ju japim ne do të mbeten të paekzekutuara”. Po kështu, orientimi drejt tregut dhe ndryshimeve të tij ka qenë një tjetër këshillë e Kryeministrit Berisha për drejtuesit më të lartë të universiteteve në vend. Gjithashtu, ai e konsideroi procesin e ratingut si mjaft imperativ për këto institucione, duke lënë të kuptohet që kërkonte rezultate brenda këtij viti. Ndërsa kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, u shpreh se implementimi i procesit të Bolonjës në universitete do të pasohet edhe nga projekte të tjera, si ai për vlerësim dhe akreditimin e universiteteve publike dhe jo publike.
#