Komuna dështon ta eliminojë ndërresën e tretë në “Elena Gjika” të kryeqytetit

Shkolla fillore “Elena Gjika” në Prishtinë vazhdon të jetë e vetmja në kryeqytet e cila procesin mësimor e zhvillon në tri ndërresa. Kësisoj do të vazhdojë procesin mësimor edhe këtë vit, ngase autoritetet komunale kanë dështuar edhe sivjet ta eliminojnë ndërresën e tretë në këtë shkollë.
Numri i madh i nxënësve nëpër klasa ka bërë që secila prej tyre t`i ketë nga 38 sish. Ajo është ndërtuar në vitin 1927, asnjëherë nuk është rinovuar në tërësi, derisa në vitin 1965 i është shtuar një aneks. Me përjashtim të disa investimeve simbolike, asnjëherë nuk janë rinovuar muret e stërvjetruara e as dyshemeja që kundërmon nga vjetërsia.
Kjo shkollë është në listën e monumenteve me mbrojtje të përkohshme të Ministrisë së Kulturës, ndaj drejtues të saj pohojnë se nuk mund të bëjnë asnjë ndërhyrje në zgjerimin, apo rrënimin e saj.
Drejtori i kësaj shkolle, Osman Vitia, ka thënë për gazetën se zgjidhja e vetme për eliminimin e turnit të tretë është marrja në shfrytëzim e hapësirës së shkollës së muzikës “Prenk Jakova”.
“Nuk shohim ndonjë mundësi që të bëjmë zgjerim të hapësirës në këtë objekt, sepse me rregulla të UNESCO-s nuk lejohet ndërrimi i konstruksionit. Zgjidhja e problemit do të ishte shpërngulja e shkollës së muzikës ‘Prenk Jakova’ në një vend tjetër dhe ajo të bëhet aneks i shkollës sonë”, tha Vitia. Ai më tej shtoi se numri i nxënësve është në rritje për shkak të numrit të objekteve kolektive të ndërtuara përreth shkollës, kështu që nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje zhvillimi i procesit mësimor do të jetë i vështirë.
“Opsion ka qenë edhe ndërtimi i një shkolle në ‘Breg të Diellit’, mirëpo diçka konkrete nuk ka. Gjetja e një zgjidhjeje për këtë shkollë është urgjente marrë parasysh numrin e nxënësve që gjithnjë është në rritje, derisa mesatarja e nxënësve në një klasë aktualisht është 38”, ka shtuar Vitia. Deri më tani në këtë objekt është bërë ndërrimi i nyjave sanitare të financuar nga USAID-i, ndërkaq Komuna ka financuar ndërrimin e dyshemesë, si dhe dyert e dritaret. Drejtori Vitia thotë se një kërkesë ia kanë drejtuar edhe Komisionit Evropian për ndërrimin e parketit.
E në mungesë të investimeve, vetë prindërit, fëmijët e të cilëve ndjekin mësimet në këtë shkollë janë mobilizuar për ta përmirësuar ambientin, duke mbledhur vetë mjete për renovimin e dyshemeve në dy klasa. “Para disa ditësh kemi bërë pastrimin e klasës dhe kemi lyer parketin. Kushtet në të cilat mësojnë fëmijët tanë nuk janë aspak të mira dhe ne si prindër natyrisht se jemi të shqetësuar. Po vërehet se çfarë ere kundërmon këtu, prandaj investimet janë më se të domosdoshme”, tha prindi Fisnik Vitija.
Aktualisht në këtë shkollë ndjekin mësimet 1897 nxënës, prej tyre rreth 190 janë të komunitetit turk, ndërkaq ka edhe një paralele të nxënësve me aftësi të kufizuara.
E në Drejtorinë Komunale të Arsimit thanë se as këtë vit nuk pritet të eliminohet ndërresa e tretë në këtë shkollë.
“Sa i përket shkollës ‘Elena Gjika’ e cila është e vetmja që zhvillon mësimin në tri ndërrime, nuk pritet që të bëhet zgjidhja as gjatë këtij viti. Megjithatë, kemi paraparë që në këtë shkollë të bëhen disa meremetime”, ka thënë për gazetën drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi.
Nga ana tjetër, Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit Ramë Buja, ka thënë se ndarja e granteve për komuna bëhet në baze të numrit të nxënësve të regjistruar në shkolla.
“Ndarja e granteve nuk bëhet në baza partiake, por në kuadër të disa kritereve, ku për secilën komunë llogaritet duke përdorur një formulë e cila bazohet në numrin e nxënësve të regjistruar në shkolla. Qëllimi i formulës ‘për-nxënës’ për caktimin e grantit për arsim është që të sigurohet se çdo komunë të marrë një ndarje të drejtë të burimeve, të cilat janë në dispozicion për shkolla”, ka thënë Gjoshi. Në këtë kontekst, ai ka sugjeruar komunat të kenë kujdes në hapjen e vendeve të reja të punës.
Ndryshe, sipas zyrtarëve të MASHT-it, në vitin 2012 Ministria ka përfunduar ndërtimin e 8 objekteve shkollore, prej të cilave 2 në Prishtinë.
Ndërkaq në vitin 2013 është planifikuar ndërtimi i një shkolle të mesme në Prishtinë, që kap shumën e 560 mijë eurove. Po ashtu, sipas MASHT-it, pritet të përfundojë edhe ndërtimi i shkollës model.
Kurse Komuna e Prishtinës për vitin 2013 në arsimin fillor ka paraparë investime kapitale në vlerë mbi 2 milionë e 629 mijë eurosh, derisa për atë të mesëm 1 milion e 780 mijë euro./Indeksonline/