E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna e Butelit pengon investitorin shqiptar

Një kasolle e mbushur përplot me mbeturina e një personi të quajtur Jani Puxha, është pengesa kryesore që biznesmeni Selajdin Aliu nga Shkupi, gjegjësisht Komuna e Butelit, tani e tre vjet pengohet të ndërtojë objektin afarist, të lejuar nga autoritet komunale. Aliu thotë se para te vjetëve, kur edhe e ka blerë tokën nga Komuna e Butelit, i është thënë se fillimisht duhet të paguajë taksat komunale, kurse autoritetet përgjegjëse menjëherë në afat të shkurtër do ta largojnë kasollen, me qëllim lirimin e hapësirës për të nisur punimet. Por edhe tre vjet pas dhënies së lejes për ndërtim, Komuna e Butelit ende nuk ka larguar objektin e paligjshëm.

“Kemi paraqitur kërkesën në Komunë, por përgjigje nuk kemi qe 3 vjet. Kohën e fundit edhe nuk na pranojnë në biseda ata zyrtarë komunal të nivelit më të ulët ose nuk guxojnë të më pranojnë dhe vetëm arsyetohen se unë duhet të bisedoj me ndonjë person tjetër të nivelit më të lartë, por unë nuk e di se cili është ai person! Për tek kryetari i Komunës kam kërkuar takim 4 ose 5 herë, ma marrin numrin e telefonit kinse do të më kërkojnë, por deri tani nuk kam asnjë përgjigje”, tha Selajdin Aliu për Alsat-M.

Aliu kërkon ndërhyrjen e faktorit politik shqiptar në pushtet lidhur me këtë rast, pasi veprimi i autoriteteve të Butelit është edhe një dëshmi e pengimit të investimeve nga afaristët shqiptar

“Shikojeni edhe ju, atje ruhen kuaj, dhi, qen, mace dhe dy persona jetojnë aty brenda. Komuna nuk e di ku e ka qëllimin, me siguri se ka ndonjë qëllim, por unë nuk e di. Thjesht kërkoj që Komuna e Butelit të kryejë detyrimin e saj ndaj meje, njëjtë sikur unë që kam bërë pagesa, lejen e kam marrë, tash po investoj dhe kjo do të kushtojë një shumë të madhe të parave, kurse nuk e di se fundi ku do të del. Kërkoj prej faktorit shqiptar në qeveri, le ta shikojë rastin, përndryshe autoritet e Komunës së Butelit ikin prej meje, nuk dëshirojnë të bisedojnë me mua, edhe thjesht këtë objekt e përdorin, nuk e di se për çfarë qëllimi e përdorin ndaj meje, ka ndonjë qëllim, por unë nuk e di”, deklaroi biznesmeni.

Alsat –M kërkoi prononcimin nga Komuna e Butelit, por nuk arriti të sigurojë asnjë përgjigje lidhur me rastin e lartpërmendur./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›