Komuna e Mitrovicës dhe Zyra Administrative në veri të gatshëm të rrisin bashkëpunimin

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës dhe ata të Zyrës Administrative në Veri, mbajtën sot një takim të përbashkët të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku shprehën të gatshëm që të rrisin bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe shefja e Zyrës Administrative në Veri, Adrijana Hoxhiq, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre u ulën sot përballë njëri-tjetrit për të diskutuar për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet tyre. Kjo u vlerësua si një mundësi e mirë që do të ndikonte në rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët. Kastrati tha se kanë bashkëpunim të mirë, por ka mundësi që të bëhet më shumë.
”Situate në Mitrovicës është specifike edhe dihet se numri I të punësuarve në ZAV është dukshëm më i vogël sesa në Komunën e Mitrovicës, nga ana tjetër kjo zyre ia ka filluar prej të , prej nesh e ka mbështetjen maksimale për bashkëpunim për informim, krejt atë që mendohet se duhet ne të ndihmojmë”, tha ai.
Ndërsa, shefja e Zyrës Administrative në Veri, Adrijana Hoxhiq, pasi shprehu vullnetin për të koordinuar veprimet që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve për qytetarë, foli për disa nga projektet e realizuara në veri.
“Qëllimi i kësaj zyre është që të ketë një zyre të Kosovës që ofron shërbime në veri”, tha ajo
Ajo theksoi se prej themelimit në maj 2012 nga Qeveria e Kosovës, Zyra Administrative në Veri, hapi zyrtarisht dyert e saj në korrik duke filluar të ofroj shërbime bazike administrative për qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri të Mitrovicës.
Një prej pikave konkrete që u morën vesh në takim ishte ajo që ka të bëj me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komunës së Mitrovicës, gjegjësisht të Zyrës Administrative të Veriut në takimet për siguri që mbahen në këto njësi të pushtetit lokal./Indeksonline/