E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adem Jashari e shndërroi Prekazin në “Krujën e dytë”

(E plotësuar)  Me rastin e 15 vjetorit të masakrës së Prekazit, në Tiranë u mbajt një ceremoni përkujtimore në bustin e komandantit legjendar Adem Jashari, të vendosur në rrugën e Durrësit.

Duke folur në ceremoninë përkujtimore, kryeministri Berisha theksoi se Adem Jashari e shndërroi Prekazin në “Krujën e dytë” të shqiptarëve.

“Sot mbarë kombi shqiptarë përulet me nderimin më të thellë para komandantit legjendar Adem Jashari, burrit që me trimërinë, guximin mbinjerëzor, shndërroi Prekazin në Krujën e dytë të shqiptarëve. Në këtë 15-vjetor, veprën e ndritur të Adem Jasharit e familjes së tij, shkëlqen më shumë se kurrë. Shqiptarët festuan 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me kokën lart, me ndjenjën e krenarisë së ligjshme, gjë e cila pa veprën, pa heroizmin, pa sakrificën sublime të Adem Jasharit dhe të gjithë familjes së tij do të ishte e pamundur” tha Berisha.

Në ceremoninë përkujtimore të masakrës së Prekazit, ku u vendosën kurora me lule pranë bustit të Adem Jasharit, merrnin pjesë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryemisnitri Berisha, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, Ambasadori i Kosovës në Tiranë dhe qytetarë të shumtë të cilët kanë nderuar komandantin legjendar të Kosovës.

 .....................

Me rastin e 15 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë ka filluar shënimi i Epopesë së UÇK-së.

Fillimin e shënimit ë Epopesë së UÇK – së, pas intonimit të himnit të Kosovës dhe atij kombëtar, e bënë udhëheqësit më të lartë të vendit: kryetarja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi me ministrat Hajredin Kuçi e Agim Çeku.

Udhëheqësit e vendit me këtë rast vunë kurora pranë lapidarit për ushtarët e rënë të UÇK-së. Pastaj të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua kryeministri i vendit Hashim Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nderoi veprën dhe sakrificën e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe gjithë të rënëve për liri.

“Sot po nderohet njëra nga ngjarjet më të ndritura dhe historike të historisë së re të Kosovës.
Sot Kosova po nderon sakrificën heroike të familjes Jashari dhe gjithë të rënëve në altarin e lirisë. Gatishmëria për fitoren e lirisë e zgjoi një komb të tërë, të gjithë të bashkuar në frymën dhe ideologjinë e UÇK-së kontribuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. UÇK u bë zëri autentik i vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Në themelet e lirisë së Kosovës qëndron gjaku dhe sakrifica e dëshmorëve të lirisë, prandaj për jetë përulemi para sakrificës së deshmorëve të lirisë”, ka shtuar ai.

Komandant i FSK-së Kadri Kastrati ka folur për kontributin e familjes Jashari si dhe gjithë dëshmorëve të tjerë që dhanë jetën për liri.

 Sipas tij, gjatë këtyre 15 vjetëve, FSK ka arritur të avancohet dhe po tregon përkushtim të madhë.

 “Gjatë këtij 15 vjetori FSK është avancuar dukshëm, duke treguar përkushtim dhe duke ndihmuar vendin tonë. FSK është ndërtuar në shtetin e ri, në sakrificën kombëtare, në sakrificën e familjes Jashari si dhe mijëra dëshmorëve të tjerë”, ka theksuar Kastrati.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›