Komuna e Podujevës dënon sulmet fizike ndaj rojeve të pyjeve

Rasti i fundit, gjatë fundjavës, kur nga prerësit ilegalë të pyjeve është sulmuar rëndë fizikisht roja pyllit, Shaban Jupolli, ka bërë që të reagojë Bordi i Drejtorëve i Komunës së Podujevës.
Në takimin e kryesuar nga Kryetari i Komunës, z.Agim Veliu, është shprehur shqetësim për sulmet e shpeshtuara fizike ndaj rojeve të pyllit, kur vetëm gjatë muajit të fundit nga prerësit ilegalë janë sulmuar rëndë dy roje (Shaban Jupolli dhe Nexhmi Selmani).
Duke shprehur indinjatë për sulmet e fundit, por edhe ato të mëhershme, Bordi i Drejtorëve kërkon nga organet relevante, Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës që të ngritin nivelin e bashkëpunimit dhe të ndërmarrin masa për mbrojtjen e rojeve të pyjeve, derisa ata janë në detyrë.
“Bordi i Drejtorëve i ka cilësuar si të pavërteta deklaratat e kryeinspektorit në APK, Kadri Kadrijaj, të bëra ne media, i cili duke u shërbyer me të pavërteta, ka thënë se Komuna e Podujevës ka dështuar në mbrojtjen e pyjeve. Pikërisht për shkak të punës së tyre në mbrojtje të pyjeve, rojet e pyllit nga sektori i Pylltarisë në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Podujevë, janë në shënjestër të prerësve ilegalë dhe sulmohen fizikisht.
Për punën dhe angazhimin ne mbrojtjen e pyjeve më së miri tregon numri i fletëparaqitjeve të bëra dhe sasia e masës drusore të konfiskuara nga rojet e pyllit”, thuhet në reagim./Indeksonline/