E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna e Prishtinës demanton FOL-in

 Komuna e Prishtinës ka reaguar ndaj deklarimeve të ‘Lëvizjes Fol’ se janë bërë shkelje në tri raste të prokurimeve publike, duke i vlerësuar ato tendencioze dhe me qëllimet politike.

Komuna e Prishtinës sqaron se në të tri rastet e analizuara nga kjo organizatë, komuna ka shpërblyer ofertën më të lirë. Sipas, reagimit, pas këtij vendimi të komunës, operatorët e pakënaqur kanë bërë ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik lidhur me vendimet e Komunës.

“Komuna do të kishte bërë shkelje nëse nuk do të kishte shpërblyer ofertën më të lirë. Prandaj, është i pa kuptim ky deklarim i 'Lëvizjes Fol', e cila po tregon se është në shërbim të bizneseve të caktuara dhe strukturave politike. Këto struktura po tentojnë që me çdo kusht të fitojnë tenderë në Komunën e Prishtinës, ashtu siç po bëjnë në shumë institucione të udhëhequra nga ato struktura politike”, thuhet në reagimin e Komunës.

“Është e habitshme se si kjo organizatë nuk merret me 1.4 mil euro korrupsion në MPB, me raste korrupsioni në 6 komuna të udhëhequra nga PDK, me rastin e pasurimit astronomik të disa zyrtarëve të lartë qeveritarë”, përfundon reagimi i Komunës së Prishtinës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›