E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna e Prishtinës nën hetime

Dy projektet më të mëdha të Isa Mustafës janë nën hetime.

Ndërtimi i shesheve “Zahir Pajaziti” dhe “Ibrahim Rugova” janë duke u hetuar nga EULEX-i, mësojnë burime të Indeksonline.

Sipas këtyre burimeve, Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, nuk ka pranuar që të merret me këtë rast pasi me këtë është duke u marrë EULEX-i.

“Ne nuk e kemi lëndën njëherë. Nuk mund të flas për këtë rast” ka thënë kryeprokurori i Qarkut të Prishtinës, Aleksandër Lumezi.

Në sheshet për të cilat ishte raportuar se fituese në konzorcium është kompania “All Zone” e cilësuar si mashtruese pasi më parë, kishte faturuar një kamion 30 herë më shtrenjtë, janë ende duke u kryer punime e paralelisht edhe hetime për to.

“EULEX-i nuk mund të konfirmojë apo mohojë nëse është duke u hetuar ky rast”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi.

Një kubëz për ndërtimin e këtyre shesheve, sipas komunës kushton 200 euro.

Një tjetër çështje që ishte raportuar lidhur me sheshet është edhe për sipërfaqen e tyre.

Qendra e Prishtinës e Lëvizjes Vetëvendosje! kishte bërë publike në shtator deklarata të ndryshme të komunës për sipërfaqet e shesheve.

“Sheshi ‘Ibrahim Rugova’ sipas tabelës së publikuar sot (11 shtator) nga Komuna, na i paska 16 000 metra katrorë. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë, sipas vetë deklaratave dhe publikimeve zyrtare të Komunës. Deri më sot sipas publikimeve zyrtare dhe deklaratave të Isa Mustafës dhe vartësve të tij, sipërfaqja e sheshit ‘Ibrahim Rugova’ ka qenë 12800 metra katrorë”, thuhej në deklaratën e Vetëvendosjes!/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›