E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përafrimi i Serbisë me BE-në, në verë të vitit 2013?

Këshilli Evropian ka përshëndetur përparimin në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por Serbia do ta marrë datën e fillimit të bisedimeve për përafrim vetëm pas hapave të ardhshëm në atë drejtim, thuhet në dokumentin që ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së do ta miratojnë të hënën.

Këshilli do të shqyrtojë në pranverë të vitit 2013 përparimin në dialog, me gjasa që në qershor të vitit të ardhshëm t’i hapë bisedimet për përafrim të Serbisë, me kusht që problemet të jenë zgjidhur në mënyrë të kënaqshme.

“Këshilli nuk do t’ia caktojë Serbisë datën e fillimit të bisedimeve për përafrim pa përparim të mëtutjeshëm në dialog dhe pa zbatim të plotë të marrëveshjeve ekzistuese”, thuhet në dokumentin e BE-së.

Më herët, mediat në Shqipëri kanë raportuar se Shqipërisë nuk do t’i jepet drita e gjelbër për fillimin e negociatave, kurse Serbisë po.

Burimet diplomatike në Bruksel i deklaruan agjencisë serbe Tanjug se ky dokument është vetëm propozim, e jo edhe version final i konkluzioneve të Këshillit Evropian.

Drafti i përmendur duhet të kalojë së pari nëpër Këshillin ministror të hënën e të martën, kurse më 13 e 14 dhjetor atë do ta shqyrtojnë shefat e shteteve dhe të qeverive në samitin e BE-së. Sipas këtyre burimeve, drafti mund të pësojë ndryshime të vogla, por jo edhe thelbësore deri në miratimin e konkluzioneve të propozuara./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›