E Shtunë, 31 Tetor 2026

16 vjet burg për shqiptarin që vrau rojën e diskotekës

Shqiptari 23 vjeçar nga Kosova, i cili ka vrarë rojën e diskotekës në Grenchen të Solothurnit, është dënuar me 16 vjet e tre muaj burg. Veç kësaj, atij i është shqiptuar edhe masa e kujdestarisë së rregullt. Procesi gjyqësor ndaj tij ka përfunduar sot në Gjykatën Solothurn Lebern, raporton Albinfo.

I akuzuari është gjetur fajtor për vrasjen me shtatë goditje thike të rojës së diskotekës, më 3 prill të vitit 2011.

Autori i vrasjes, sipas trupit gjykues por edhe sipas prokurorit të lëndës, ka treguar një energji të madhe kriminale dhe një pa skrupull. Supozohet se ai ka vepruar duke pasur për qëllim vrasjen.

Në lartësinë e dënimit kanë ndikuar edhe veprat tjera penale që i ka bërë kosovari, si vjedhje në grup, prishje e shumëfishtë e qetësisë publike dhe shkaktim i shumëfishtë i lëndimeve trupore.

Prokuroria ka kërkuar për të akuzuarin dënim me 16 vjet burg dhe masën e kujdestarisë. Ndërsa pala mbrojtëse ka kërkuar dënim maksimal prej 8 vjetësh burgim, që do të shndërrohej në dënim për të rinjtë e rritur.

I dënuari për vrasje është arrestuar vetëm katër ditë pas kryerjes së krimit dhe prej atëherë është duke u mbajtur në paraburgim.

Vendimi gjyqësor i marrë sot ende nuk është i plotfuqishëm./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›