Komuna e Prishtinës reagon ndaj deklaratave të Tahirit

Komuna e Prishtinës, shpreh habinë rreth deklaratave të fundit të zyrtarit të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili në deklarimet e fundit, kompetencat që i përkasin nivelit qendrore ia atribuon nivelit lokal. Përmes këtyre deklarimeve, Tahiri tregon se ai nuk e kupton, nuk e njeh fushën e pushtetit lokal dhe aq me pak nuk është i informuar me ligjet që e rregullojnë këtë gjë, transmeton KTV.
Rreth deklarimit të fundit të Tahirit, i cili e atakon komunën për mos ndërtimin e institucioneve parashkollore në Prishtinë, Komuna e Prishtinës e informon Tahiri, se ka dy vjet që dy objekte të ndërtuara për çerdhe, njeri në lagjen Mati dhe tjetri në lagjen Hajvalia nuk janë funksionalizuar, për shkak që Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, nuk ka lejuar komunën që të punësoj personel edukativo arsimor për këto dy institucione, njoftohet përmes një kumtese dërguar medieve.
Komuna e Prishtinës, ia rikujton Tahirit se asnjë komunë në Kosovë nuk mundet të punësojë personel edukativo arsimor pa lejen e Qeverisë së Kosovës, sepse është pikërisht Qeveria e Kosovës ajo që përmes grantit specifik për arsim, bënë pagesën e pagave për personelin edukativo-arsimor. Këtë gjë, Tahiri si duket nuk e di, edhe pse thirret si njohës i çështjeve lokale./Indeksonline/