Komunat Rogovë dhe Gjonaj, kalkulim për të fituar PDK në Prizren

Megjithëse, jashtë agjendës ligjore për vitin 2013-2014, Qeveria e Kosovës pret që deputetët e legjislativit, të votojnë riamandamentimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ. Këto ndryshime, do të mundësonin organizimin e zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen në fund të tetorit, edhe për dy komunat e reja - Rogovë dhe Gjonaj, transmeton KTV.
Procedimi në Kuvend për miratim të riamandamentimit të Ligjit për Kufijtë Administrativ, sipas burimeve brenda partisë në pushtet, po synohet që gjithqysh në zgjedhjet lokale të shkojnë edhe dy komunat e reja. Krejt kjo është bërë që PDK-ja ta fitojë përsëri Prizrenin, pasi që ndarja e listës së votuesve në komunën e re, do të dobësonte elektoratin e LDK-së në Prizren, ka thënë me tej ky burim.
Përfaqësues të partive politike vlerësojnë se kjo nguti e Qeverisë dëshmon se këtu është menduar vetëm për vota. Zëvendës ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Basri Musmurati thotë se po presin miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Kufijtë Administrativ dhe shkuarjen edhe të komunave të reja në zgjedhjet lokale. Por, KQZ-ja as që ka filluar të përgatitet për ndryshimin e listës së votuesve për dy komunat e reja./Indeksonline/