E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, kërkesë për Shqipërinë si vëzhguese e Organizatës së Shteteve Amerikane

Guatemalë, 31 gusht, NOA Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë në selinë e Parlamentit të Amerikës Qendrore në Guatemala City, ku u prit nga zv/presidenti i këtij institucioni, Sergio Bucaro.

Të dy biseduan rreth bashkëpunimit të Shqipërisë me Organizatën e Shteteve Amerikane si dhe rreth kërkesës për statusin e vëzhguesit pranë kësaj Organizate.

Bucaro shprehu vlerësimin e tij dhe të vendeve anëtare për këtë kërkesë si dhe gatishmërinë për të marrë sa më shpejt vendimin e pranimit të saj.

Ndërkaq, gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit në nivel parlamentar dhe u shpreh gatishmëria e intensifikimit të marrëdhënieve në këtë drejtim, përmes shkëmbimit të vizitave reciproke dhe institucionalizimit të komunikimit të ndërsjellë.

Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), me seli në Uashington, përbëhet nga 35 vende të kontinentit Amerikan, përfshirë SHBA, Kanadanë, Meksikën, Brazilin, Argjentinën, etj. Pranë kësaj organizate aderojnë edhe 64 vende të tjera me statusin e Vëzhguesit të Përhershëm, ku përfshihen vendet e BE-së, vetë BE-ja, si dhe disa vende të rajonit tonë.

Duke nënvizuar rëndësinë globale të kësaj Organizate, Shqipëria ka kërkuar anëtarësimin pranë saj në cilësinë e Vëzhguesit të Përhershëm, i cili pritet të rrisë vizibilitetin e aksionit dhe angazhimit diplomatik të Shqipërisë, në shërbim të interesit kombëtar të vendit.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›