Shqipëria në NATO, garantim i sigurisë dhe shembull suksesi për vendet aspirante
60 vjet më parë, përfaqësuesit e 12 kombeve u mblodhën së bashku për të firmosur Traktatin e Uashingtonit. Në dekadat që pasuan, traktati u shndërrua në aleancën më të suksesshme që ka njohur historia. Dhe sot, kjo ceremoni nënvizon edhe njëherë faktin se përse NATO mbetet unike në llojin e vet. Me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë, komuniteti ynë atlantik është zgjeruar duke mbërritur në 28 vende anëtare. Kjo është dëshmi jo vetëm e vazhdimit të interesit për tu bërë pjesë e aleancës sonë por edhe e praninë së vizionit dhe kurajës së etërve themelues të saj. Kryeministër Berisha, kryeministër Sanader: përbën vërtetë një moment të veçantë historik për Aleancën, kur vendet tuaja u ulën në tryezën e përbashkët të Këshillit të Atlantikut të Veriut në samitin tonë në Strasburg dhe Kehl zhvilluar disa ditë më parë. Është një kënaqësi e madhe për të gjithë ambasadorët e NATO-s dhe për mua personalisht që t’ju mirëpres ju dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit që përfaqësoni.
Aderimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në aleancë tregon se ideja e lirisë është e parezistueshme. Ajo dëshmon se kombet dhe popujt andej dhe këndej Atlantikut janë së bashku kur atyre u jepet mundësia për të bërë zgjedhjen e tyre të lirë. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO shënon një domethënie të madhe për dy vendet e reja anëtare, për rajonin e Ballkanit dhe për vetë Aleancën në tërësi. Për Shqipërinë dhe Kroacinë, hyrja në NATO si anëtare me të drejta të plota, përbën shpërblimin e merituar pas shumë vitesh punë dhe përpjekje. Është mishërim i plotë i vizionit të atyre që për vite me radhë panë vendet e tyre si anëtaret e ardhshme të NATO. Të dyja vendet tashme kanë hapësirën e tyre në tavolinën ku merren vendimet kyçe për të modeluar sistemin euroatlantik të sigurisë. Dhe të dyja vendet së bashku mund që të gëzojnë sigurinë e tyre të plotë bazuar tek neni 5 i Traktatit të Uashingtonit.
Anëtarësimi juaj në NATO, është i një rëndësie parësore edhe për rajonin e Evropës Juglindore. Përgjatë viteve të shkuara, pjesë të caktuara të këtij rajoni kanë rënë pre e konflikteve të armatosura dhe trazirave civile.
Përballë veprimeve te egra e makabre të spastrimit etnik, përgjithësisht pranohej se popujt e këtij rajoni nuk do të mund të jetonin kurrë në harmoni. Sot, pesimizmi i djeshëm është zëvendësuar nga optimizmi. Kjo pjesë e Evropës rikthehet të bëhet pjesë e koncertit të kombeve evropiane. Në këtë kontekst, hyrja e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, përbën një shembull inkurajues suksesi për vendet e tjera që kanë të njëjtin synim dhe kanë ndërmarrë të njëjtin udhëtim: edhe ata sikurse ju do të mbërrijnë një ditë në destinacion. Por aderimi në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë është gjithaq i rëndësishëm për vetë aleancën. Ndërsa po përballemi me sfida të paprecedent, kemi tashmë dy aleatë më tepër për të na ndihmuar në përballimin e tyre, dy vende këto që kanë dëshmuar në mjaft raste se janë të gatshme që të mbrojnë vlerat për të cilat komuniteti ynë atlantik është themeluar.
Prezenca e tyre do të kontribuojë për ti dhënë me tepër forcë aleancës sonë. Tashmë, aleanca jonë do të ketë dy flamuj me tepër që sapo u shpalosën për herë të parë për ne. Njëzetetetë aleatë do të jetë të lidhur mes tyre nga betimi për të mbrojtur sigurinë dhe integritetin territorial të secilit prej aleatëve. Dhe ky është angazhimi më solemn që mund të marrin përsipër shtetet sovrane.
Shqipëria dhe Kroacia kanë dëshmuar me këmbëngulje se janë të gatshme që të përmbushin këtë angazhim. Në këmbim këto vende mund të mbështeten tek solidariteti i aleatëve të tyre.
* Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në ceremoninë e ngritjes së flamurit shqiptar e kroat në selinë e NATO-s, në Bruksel
...